Një grua, që i ka mbijetuar kancerit të gjirit, është bërë virale në rrjetet sociale për shkak të një fotografie që ka shpërndarë. Ajo shfaqet duke ushqyer foshnjen e saj me gjirin e djathtë, ndërsa në krahun e majtë duken shenjat e operacionit të heqjes së gjirit.

Bo Smith nga Texas ka postuar fotografinë e saj me djalin 10-ditësh, ku shkruan:

“Asnjëherë mos u turpëroni nga një shenjë. Ajo tregon vetëm që ishit më i fortë se çdo gjë që provoi t’ju lëndonte”.

Ajo shtoi se nuk mund të shpjegojë ndjesinë e të dhënit gji, pasi humbi një gji për shkak të kancerit dhe pasi i thanë që ndoshta nuk do të mund ta kishte atë djalë të ëmbël në krahët e saj.

Bo shpjegoi sesi u diagnostikua me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit të gjirit në vitin 2015. Ajo tregoi se mjekët i thanë se kishte vetëm 40 për qind mundësi për të jetuar pesë vjet.

Postimi i saj është shpërndarë mbi 5,000 herë në Facebook dhe ka patur mbi 16,000 reagime. Disa prej komentuesve thanë se kishin shpërthyer në lot për shkak të kësaj fotografie kaq domethënëse.

32-vjeçarja u shpreh:

“Nuk më vjen turp për këtë trup. Kjo është ajo çka vazhdon të më kujtojë sa me fat jam që jam këtu sot”.

Ajo tregoi se një muaj para se të mësonte që ishte me kancer, i fejuari e kishte propozuar dhe po bënin përgatitjet e dasmës.

Fjalët e saj të para kur u diagnostikua me kancerin e gjirit ishin:

“Jeta ime mori fund! Nuk do të bëhem kurrë nënë…”.

Bo nisi kimioterapinë dhe më pas iu nënshtrua operacionit të heqjes së gjirit të majtë. 

“Zgjodha ta mbaja gjirin e djathtë nëse një ditë do të kisha mundësinë t’i jepja gji fëmijës sim”,

shpjegoi Bo.

Pasi iu nënshtrua radioterapisë, iu tha se trajtimi i kancerit kishte ndikuar në fertilitetin e saj. Dy vjet pas mjekimeve, 32-vjeçarja iu nënshtrua trjatimeve me hormone dhe letrozole, në mënyrë që të ngelte shtatzënë në mënyrë natyrale.

Vetëm tre ditë para Krishtlindjeve ajo zbuloi lajmin e mrekullueshëm që ishte shtatzënë. 10 ditë më parë Bo solli në jetë James.

Përsa i përket fotografisë në Facebook, ajo tha:

“E postova si një mënyrë për të treguar se nuk ka rëndësi sa shenja ka, pasi ka gjithmonë mënyra për të gjetur pozitiven te to”.

“Po, e humba gjirin, por kam ende tjetrin për të ushqyer djalin tim. Shenjat nuk janë asgjë më tepër se një histori se ku ke qenë me jetën. Duhet të jesh krenare për to dhe për veten që ia ke dalë mbanë.”

Qindra njerëz e kanë mbështetur Bo Smith për kurajon e saj për t’ja dalë mbanë dhe për të ndarë me të gjithë një mesazh kaq të rëndësishëm./

tvklan.al