Alesio dhe Aureli, dy të miturit të cilët i mbijetuan tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, kanë takuar sot idhujt e tyre në futboll, Cristiano Ronaldo dhe Gianluigi Buffon.

Në një video live në Facebook, kryeministri Edi Rama ka xhiruar momentin kur dy vogëlushët takohen me futbollistët e njohur të skuadrës italiane Juventus, ndërsa ndodhen në Itali.

Rama i ka njohur futbollistët me historinë e dy djemve nga Thumana, ndërsa tregoi se Aureli ishte fans i madh i Ronaldos dhe Alesio i Buffon.

Për të dy djemtë janë dhënë bluzat e futbollistëve me firmë dhe dedikim.

“Një surprizë për Aurelin dhe Alesjon, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë, e që pasi lanë spitalin duhet të rifillojnë rrugën e jetës, që u’a urojmë të gjatë, me shëndet e gëzime”, shkruan Rama bashkangjitur videos. /tvklan.al