Ndodhemi vetëm një ditë larg ndeshjes Shqipëri-Angli që do të luhet në Wembley duke synuar kualifikimin për në Botëror. Megjithëse nuk do të jetë e lehtë, Alban Xhihani mendon se ka diçka më të rëndësishme sesa fitorja e kësaj ndeshjeje.
Në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, gazetari sportiv shprehet se fokusi i vërtetë duhet të jenë ndeshjet e tjera të grupit, me Andorrën e Letoninë. Sipas tij, ekipe të tilla mund të mos të të favorizojnë për të shfaqur më të mirën dhe nevojitet të sigurohet fitorja.
Alban Xhihani: Unë do të kënaqesha me një barazim sepse mendoj që kjo na karikon për të vazhduar. Mendoj që synimi i Shqipërisë nuk është të mundë Anglinë në këtë grup, normalisht kur hyn në ndeshje, nisesh për fitore, por unë them që më të rëndësishme sesa 3 pikët me Anglinë, ne duhet të synojmë 12 pikët mbi të gjitha, me Andorrën dhe Letoninë që janë skuadra vërtet ne i quajmë jo favorite ndaj nesh, por ne duhet t’i marrim ato 12 pikë, t’i kemi të sigurta.
Aldo: Alban, këta ia varin kur luajnë me Andorrën, me San Marinon?
Alban Xhihani: Jo, nuk është puna që ia varin. Është interpretim tjetër i lojës. Në ndeshjen me Anglinë, Anglia do të synojë të të sulmojë, skuadrat e mëdha sulmojnë dhe ti rri pret edhe nisesh në kundërsulme për ta goditur, për ta kapur në befasi, pa mendje. Kurse me Andorrën, me Letoninë janë skuadra që do të të presin ty ato dhe ti duhet të gjesh mënyrën për t’i hapur, për t’i goditur, për t’i mundur ato dhe pak a shumë kthehen si fjala që kemi ne, i mbyturi të mbyt dhe ato skuadra të vënë në gjumë vetvetiu dhe ti nuk arrin dot të performosh ashtu siç duhet. Kjo është ajo që na ndodh dhee që duhet të gjejmë zgjidhje, nisur nga ndeshjet e fundit me Faroet dhe Moldavinë, kualifikueset që ne shkuam në kampionatin europian, prej të cilave ne morën 8 pikë dhe jo 12, pra fitore, barazi, fitore, barazim, nuk i morëm dot të plota pikët dhe kësaj i druhem më shumë. Pastaj ta luajmë kokë më kokë me Serbinë se jam i sigurt që përpara Anglisë do të ketë të njëjtat probleme.
Ora 20:45 e së premtes së 21 marsit do t’ju gjejë duke ndjekur ndeshjen në ekranin e kuqezinjve, Tv Klan. Nga ora 20:00 e deri në 23:30 do të jeni në shoqërinë e “Klan Kuq e Zi”, spektaklit sportiv nën drejtimin e Alban Xhihanit ku nuk do të mungojnë lidhjet direkte nga Wembley./tvklan.al