Një 33-vjeçar është vrarë nga një luan që e mbante në shtëpi. Ngjarja ka ndodhur në Çeki në pronën e viktimës. Mikal Prasek mbante në kafaz një luan 9-vjeçar dhe një luaneshë, të cilët donte t’i mbarështonte.

Babai 33-vjeçarit gjeti trupin e djalit brenda kafazit dhe më pas njoftoi autoritetet. Dy luanët, që mbaheshin të ndarë nga njëri-tjetri, u qëlluan për vdekje nga policia. Një zëdhënës i policisë tha për mediat lokale se vrasja e luanëve ishte e domosdoshme në mënyrë që punonjësit të futeshin në kafaz për të marrë trupin e viktimës.

Mikal Prasek bleu luanin në vitin 2016 dhe luaneshën vitin e kaluar. Dy kafshët e egra i mbante në rrethimin e oborrit të shtëpisë së tij në fshatin Zdechov. Autoritetet i kishin mohuar atij lejen për të ndërtuar kafazë të mirëfilltë dhe ishte gjobitur për mbarështim të paligjshëm.

Konflikti i tij me autoritetet ishte futur në ngërç, pasi nuk lejonte asnjë person të hynte në pronën e tij. Fakti që mbante dy luanë në oborrin e shtëpisë ishte kthyer në shqetësim edhe për banorët e fshatit. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i fshatit Zdechov, i cili ka thënë se incidenti që ndodhi do t’i japë zgjidhje problemit afatgjatë.

/tvklan.al