Një aksident i rëndë me motor u regjistrua të Hënën në Shkodër, ku si pasojë e pëplasjes, ndërruan jetë dy të mitur.
Njëri prej tyre, ishte 13-vjeçari Fabian Sh., i cili ishte pjesë e akademisë së futbollit “Djelmnia shkodrane”.
Për këtë, presidenti i Federatës Shqiptarë të Futbollit, Armand Duka, ka publikuar në profilin e tij, një mesazh ngushëllimi.
Kreu i futbollit e cilësoi tragjikë ndarjen nga jeta të 13-vjeçarit, i cili ëndërronte të bëhej futbollist.
“Një lajm tragjik ai i ndarjes nga jeta të Fabian Sh., djaloshit 13-vjeçar që ëndërronte që një ditë të bëhej futbollist dhe stërvitej dhe luante çdo ditë në akademinë “Djelmnia shkodrane”.
Ëndrra e Fabianit u ndërpre në mes nga një aksident dhe dua, që në emrin tim dhe të Federatës së Futbollit, t’i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së djaloshit, akademisë “Djelmnia shkodrane”, të afërmve dhe miqve me të cilën ai ndante të njëjtën ëndërr. Prehu në paqe Fabian”, shkruan Duka.
/tvklan.al