Një person është gjetur i vdekur paraditen e kësaj të enjteje, në fushën e mbetjeve në Fier.

Burime paraprake për Klan News bëjnë me dije se dyshohet që viktima është 29-vjeçari, Demokrat Medinaj, i cili vrau me thikë bashkëshorten pasditen e së mërkurës.

Dyshohet se 29-vjeçari i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur pas krimit të rëndë që ndodhi në shtëpinë e familjes, në fshatin Sheq i Madh.

Familjarët janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni që autori i vrasjes të ketë pasur grindje me të shoqen. Irvana Hykaj dhe Demokrat Medinaj ishin prindër të dy fëmijëve, 6 dhe 4 vjeç, ndërkohë që sipas familjarëve 28-vjeçarja ishte në muajin e dytë të shtatzënisë me fëmijën e tretë.

Ata thonë gjithashtu që Irvana ka qenë tip i ndrojtur dhe nuk ka treguar për konflikte në familjen ku ishte martuar 7 vjet më parë me mblesëri në fshati Sheq i Madh, të Fierit. Lajmin për vrasjen e vajzës, familja e saj e ka marrë vesh nga familjarë të tjerë, të cilët u kishin thënë se ka vdekur në mënyrë aksidentale. Më pas në media familja Hyka ka mësuar që bashkëshorti e kishte vrarë duke e goditur 31 herë me thikë.

Autorin e vrasjes e përshkruajnë si njeri të qetë dhe thonë që dhëndri nuk ka shfaqur shenja dhune apo shenja të problemeve të shëndetit mendor. Ata kërkojnë nga policia që pasi t’i bëjnë të gjitha nderimet viktimës, të mësojnë se cilat kanë qenë arsyet që çuan në këtë tragjedi.

Gazetarja Anila Sefaj raporton nga vendngjarja për Klan News se “fëmijët janë të shokuar, sidomos fëmija 6 vjeçar. Ndërsa fëmija 4-vjeçar ende nuk e kupton se çfarë ka ndodhur. Ata janë marrë nga familjarët e viktimës dhe po mbahen me psikologë. Ata po mbahen larg kësaj ngjarje dhe familjarët po kujdesen që të mos marrin vesh çfarë ka ndodhur me prindërit e tyre.

Duke marrë parasysh pamjet nga vendngjarja, ata jetonin në një banesë të mirë dykatëshe bashkë me fëmijët e tyre. Familjarët bëjnë me dije që krimi ka ndodhur edhe në prani të familjarëve të tjerë. Familja ka qenë e rezervuar për të dhënë detaje rreth jetës së tyre. Ata nuk kanë qenë në nivele të varfërisë me aq sa kuptohet nga pamjet e banesës.

Klan News