Denoncimi i radhës në emisionin “Stop” vjen nga Tepelena dhe bëhet fjalë për një të moshuar, i cili ka bërë tamponin, pas shfaqjes së shenjave të dyshimta të Covid-19. Përgjigja e tamponit është vonuar më shumë se një javë dhe gjatë kësaj kohe i moshuari është detyruar të marrë mjekim, por pa rimbursim.

“Kemi shkuar në datën 11 dhe kemi bërë analizat e d-dimer dhe PCR, kanë dalë më përqindje Covidi. Për të marrë ilaçet, personi duhej që të jepte një test nga Qendra sanitare që është me Covid pozitiv, ose negativ se nuk na jepte ilaçet sipas rregullit se ai pensionist, ia jep shteti nuk ia jap unë. Ia dhamë testin në datë 11, nuk po na vinte. U detyrova nëpërmjet një mjekeje private që të paktën jepi ndonjë ilaç se duket në analiza qartë që ka dalë me Covid. Atëherë i kam marrë ilaçe pa ardhur përgjigja e tamponit. Pas 8-9 ditësh, mbrëmë ka ardhur tamponi. Mbas 8 ditëve do të kishte vdekur i sëmuri”, tha denoncuesi.

Mjeku infeksionist Gentian Stroni shpjegon, se çfarë dëmesh ka për pacientin mosekzamimini i hershëm i Covid-19. Ai thotë, se pacienti duhet të shihet nga shenjat klinike dhe të vlerësohet nga mjeku që e ndjek.

“Covid-i ka dy faza që është faza virale dhe ajo e pneumonisë. Në momentin e parë mjeku vlerëson shenjat klinike. Detyrimisht do duhet që të japë disa analiza për të marrë dhe vulën e vendos tamponi. Gjatë kësaj periudhe mundet që t’i jepet mjekim me vitaminoterapi ose elemente të tjera që të vlerësohen nga mjeku si të vlefshme për atë moment që pacienti po kalon. Nëse trupi jep të dhëna për Covid-in, atëherë duhet të vlerësojnë ato të parat, për të cilat do të duhen të jepen medikamente hap pas hapi”, tha Stroni./tvklan.al