Temperatura ekstreme mbi 40 gradë në pjesën më të madhe të vendit

Vala e të nxehtit afrikan që ka goditur vendin tonë do të vijojë me këto temperatura ekstreme për disa ditë.

Lajda Porja (sinoptikane): Vlerat më të larta parashikohen që në këtë episod të shënohen kryesisht në Veri, Kopliku, Shkodra dhe Lezha ku presim temperatura 40 apo mbi 40 gradë. Kemi edhe qarkun Elbasan, Berat, Fier, Kuçovë, por edhe Gjirokastër, ku presim vlerat më të larta. Diçka më ndryshe paraqitet vija bregdetare me vlera që do të luhaten nga 36-38 gradë. Pak më freskët paraqitet vetëm zona e Juglindjes, qarku i Korçës, Erseka, Pogradeci ku pritet që të jemi në vlerën 34-35 gradë.

Gazetarja: Veç temperaturave të larta, një re pluhuri dhe kjo ngjyra gri e qiellit. Çfarë është kjo?

Lajda Porja: Është thjesht kjo reja e pluhurit që sjellin masat ajrore, duke marrë me vete edhe rërën e Saharasë. Është një ndotje e mjedisit e përkohshme, nuk është problematike për organizmin e njeriut pasi në momentin që do të kemi zhvendosje të këtyre masave ajrore apo shumë pak ndeshje, qoftë edhe disa pika shiu, ato precipitojnë në tokë, kështu që ajri do të ripastrohet sërish.

Sipas ekspertëve të motit në shumë qytete të vendit termometri do të shënojë në hije mbi 40 gradë Celsius.

Fundjava do të sjellë një ulje të tempertaurave nga  2 deri në 4  gradë në disa qytete, gjithsesi sinoptikanët vlerësojnë se këto temperatura janë anormale për Qershorin pasi janë pothuajse 10 gradë mbi vlerat normale të këtij muaji.

Klan News