I pari kryeministër shqiptar që do të vizitojë “10 Downing Street”. Kështu shkruan “The Guardian” për takimin që do të zhvillojë kreu i qeverisë Edi Rama me homologun e tij britanik, Rishi Sunak. Kryeministri shqiptar ka folur për prestigjiozen britanike, e cila thotë se Rama pritet që të shfaqë në bisedimet me Sunak të njëjtën frymë kundërshtuese dhe origjinale që tregon kudo.
“Do të them të vërtetën”, është shprehur Rama për “The Guardian”.
“Ajo që kemi parë dhe dëgjuar në Mbretërinë e Bashkuar është një turp, veçimi i një komuniteti dhe të lidhësh të gjithë shqiptarët me kriminelët”, ka thënë kreu i qeverisë.
“The Guardian” shkruan se takimi ka të ngjarë të dominohet jo nga bisedat e vogla diplomatike, por nga politika reale, në një kohë kur lidhjet anglo-shqiptare janë lënë në hije nga kalimet e paligjshme me anije, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar.
Rama ka thënë për “The Guardian” se qëllim kyç ka hedhjen poshtë të stereotipeve.
“Retorika nxitëse që anëtarët e lartë të qeverisë konservatore kanë dhënë pas Brexit-it, jo vetëm që kanë tronditur shumë në vendin e tij, por edhe shqiptarët që i binden ligjit, taksapaguesit dhe një komunitet shqiptar që tani mendohet të jetë në rreth 150 mijë persona në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan “The Guardian”.
Deklarata e sekretares së Brendshme Suella Braverman, se brigjet jugore të Anglisë po shënjestrohen nga emigrantë, shumica shqiptarë të rinj, që po synojnë të organizojnë një “pushtim” ka qenë shumë shqetësuese për kryeministrin shqiptar.
“Fatkeqësisht ajo që kemi dëgjuar nuk ishte thjesht një lloj lapsusi, gjëra që dolën nga goja si një gabim. Është pjesë e një fryme të tërë që është krejtësisht në një rrugë përplasjeje me Britaninë e Madhe, atë Britani të Madhe për të cilën kam respekt”, tha Rama.
Rama ka theksuar për The Guardian se është më e rëndësishme se kurrë që politikëbërësit britanikë të ndajnë në mendjet e tyre “shqiptarët normalë” nga “mollët e kalbura” që janë përfshirë në rrjetet kriminale.
“Për disa kohë kemi punuar dhe luftuar së bashku kundër bandave kriminale që nuk janë ekskluzivisht shqiptare, por ndërkombëtare. Dhe ne duam që ta forcojmë këtë bashkëpunim, por ajo që është kaq shqetësuese është lidhja që bëhet kaq shpesh mes të qenit shqiptar dhe të qenit kriminel. Është e qartë që shqiptarët nuk kontrollojnë kanalin. Është absurde”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama nuk ka ngurruar të përmendë edhe fakte për “The Guardian”. Ai ka thënë se edhe në Greqi dikur u krijuan stereotipe për shqiptarët pasi me dhjetëra mijëra u detyruan të kërkonin azil pas rënies së regjimit komunist. Për vite, të ardhurit përshkruheshin si të papërshtatshëm, problematikë dhe herë pas here barazoheshin me kriminelët. Tre dekada më vonë, rreth 1 milionë shqiptarë e kanë bërë këtë vend shtëpinë e tyre dhe zyrtarët e konsiderojnë komunitetin shqiptar si një pjesë integrale të shoqërisë greke.
“The Guardian” shton se ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, theksoi pikërisht këtë pikë gjatë inaugurimit të ekspozitës së Ramës në Athinë duke shtuar se vendimi për ta bërë ceremoninë në Zappeion ishte për të dërguar një “mesazh të fortë dhe të qartë” miqësie drejt një vendi fqinj, të cilën Greqia shpreson që ta shohë sa më shpejt të bëhet anëtare e BE-së.
“Marrëdhëniet tona kanë ndryshuar thellësisht”, është shprehur Rama duke përshkruar se sa emocionale ishte të udhëtoje me një autokolonë drejt ekspozitës së tij në një ndërtesë historike në Athinë.
“Shqiptarët kanë patur sukses jashtë vendit. Në të kaluarën, njerëzit në vendin tuaj, pra Britani, emigruan në Australi dhe Amerikë. Njerëzit kanë të drejtë të ëndërrojnë për diçka që është më e madhe dhe më e mirë. Nuk mund ta ndaloni ose parandaloni atë. Mbeta i habitur kur një deputet pyeti se pse njerëzit po kalonin kanalin me varka dhe nuk vijnë me avion. E vështirë të besohet kur e vërteta është se edhe ministrat e qeverisë në Shqipëri hasin vështirësi në marrjen e vizave për në Mbretërinë e Bashkuar”, përfundon intervista e Ramës për “The Guardian”.
Zbulohen detaje nga takimet e Ramës në Britaninë e Madhe
Gazetarja Mirela Milori ka mësuar se kreu i qeverisë do t’i nisë takimet në orën 12:00 ku do të pritet nga kreu i parlamentit britanik.
Ndërsa takimi me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, është parashikuar të mbahet në orën 16:00. Tema kryesore e bisedimeve mes të dyve pritet të jetë çështja e emigracionit të paligjshëm.
Përveç takimit me Sunak, Rama do të marrë pjesë edhe në disa evenimente të tjera. Ai do të marrë pjesë në një takim në Ministrinë e Jashtme të Britanisë ku do të jenë pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe jo vetëm. Po ashtu, kryeministri do të mbajë një fjalë në “London School of Economics”.
Ndërkohë të premten është programuar edhe një takim mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi me homologen britanike Suella Braverman.
Rama intervistë për radion britanike: Deklaratat e Braverman, të turpshme
Kryeministri Edi Rama zhvillon ditën e sotme një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe ku pritet të takohet me homologun e tij, Rishi Sunak. Vizitën në Londër po e përcjell gazetarja Mirela Milori, e cila raportoi detaje të reja nga kryeqyteti britanik.
Milori raportoi se Rama ka dhënë një deklaratë së fundmi në Radio 4, ku i ka quajtur të turpshme deklaratat e Sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila vitin e kaluar u shpreh për një “pushtim nga emigrantët shqiptarë”.
“Duhet të theksoj në këto momente të fundit ku po bëheshim gati që në Radio 4, kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë mëngjesin e sotëm. E ka quajtur të turpshëm deklaratat dhe qëndrimin e ministres së Brendshme britanike e cila ka thënë në fjalën e saj, kujtojmë vitin e kaluar që ‘kemi një pushtim nga emigrantët shqiptarë në vendin tonë’ duke e vendosur nën dritën e kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm të gjithë përpjekjen për të ardhur gjithsesi në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe. Mes të tjerash zoti Rama në fjalën e tij ka thënë se raportet marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë në një pikë të ulët dhe do të përpiqemi ta përmirësojmë këtë situatë. ‘Komuniteti ynë është kryqëzuar për arsye politike’, ka thënë Rama mes të tjerash dhe duket se është një qëndrim tejet i ashpër. Nuk e dimë nëse do të mbajë këtë profil të ashpër Rama edhe gjatë takimit që do të ketë me Rishi Sunak, homologun e tij britanik”, tha Milori.
Milori u shpreh se kjo vizitë është historike.
“Duhet thënë që është një vizitë historike. Është hera e parë në epokën moderne të shtetit shqiptar që një kryeministër do të vizitojë dhe do të pritet nga homologu i tij britanik. Raportet 100-vjeçare mes dy vendeve ne i dimë. Sot pritej një tjetër bashkëpunim nisur nga marrëveshja e mesit të Dhjetorit, por mëngjesin e sotëm Rama ka qenë i ashpër. Siç e thashë, pritet për t’u parë nëse do të mbajë këtë qëndrim, apo do të jetë në këtë linjë biseda me Rishi Sunak, apo do të ketë një zbutje dhe një gjuhë dypalëshe diplomatike. Kjo pritet për t’u parë”, raportoi ajo.
Rama: Ashtu si Britania nuk është vetëm “Mr. Bean”, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”
Gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në një bisedë në studion e programit “Today” të BBC Radio 4. Kreu i qeverisë u shpreh se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. “Ashtu si Britania nuk është vetëm “James Bond” apo “Mr. Bean”, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken””, tha Rama. Sipas kryeministrit shqiptarët janë një komunitet i rëndësishëm në Britani.
Rama theksoi se veçimi i një komuniteti të tërë, siç ndodhi me deklaratat e sekretares Braverman, por edhe nga anëtarë të tjerë të kabinetit, nuk bëhen në qytetërimin tonë dhe nuk përfaqësojnë aspak Britaninë. Sipas tij, kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por për kreun e qeverisë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë.
-Kryeministri Rama, mirëmëngjes!
Edi Rama: Mirëmëngjes
Faleminderit shumë që erdhët të na vizitonit. Në krye të agjendës së takimit me kryeministrin tonë do të jetë çështja që lidhet me njerëzit që kalojnë Kanalin. Cili është vlerësimi juaj, a po e ul marrëveshja dypalëshe numrin e shqiptarëve që mbërrijnë këtu përmes Kanalit Anglez(La Mansh)?
Edi Rama: Siç e thatë edhe ju, kjo është një çështje komplekse. Sa më takon mua, jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm Xhejms Bond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shumë në duart e tyre dhe më shpejt.
-Kam shumë dëshirë të flas për Shqipërinë më gjerësisht, por duke qenë se barkat do të jenë në krye të agjendës me kryeministrin dhe duke pasur parasysh interesin e publikut, dua t’ju bëj nja dy pyetje të tjera lidhur me këtë. Kemi këtë ligj, një ligj të ri, i cili i po diskutohet në Parlament, që do t’i skualifikojë ata që mbërrijnë me varka të vogla të përdorin ligjet e skllavërisë moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. A mendoni se është lëvizje e zgjuar?
Edi Rama: Nuk jam këtu për të komentuar një ligj, që ka ndezur tashmë opinionin tuaj publik, debatet tuaja, por jam këtu thjesht që të përpiqem dhe të përcjell mesazhin se Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur. Kemi një turizëm në rritje dhe ka gjithnjë e më shumë britanikë që e vizitojnë e po ashtu, edhe europianë. Tashmë, kemi çelur bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian, kështu që jemi në një pozitë krejt tjetër nga ajo që ndonjëherë përshkruhet. Për fat të keq, kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike, por, nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona. Britania e Madhe ka qenë përherë një model për ne dhe më duhet të them se pa Toni Blair-in, pa rrugën e re laburiste, nuk do të ishim kaq të suksesshëm sa kemi qenë, duke zbatuar pikërisht frymën e re laburiste në partinë tonë dhe shumicën tonë qeverisëse. Po nuk është vetëm kjo, është kultura, janë shumë gjëra të tjera dhe shumë mësime të tjera, ndaj duam të nxjerrim më të mirën nga kjo marrëdhënie.
-Kur thoni se ka pasur një episod të turpshëm në politikën britanike, e keni fjalën për gjuhën, për retorikën e përdorur për të përshkruar ata që, në fund të fundit, shpesh janë persona të dëshpëruar që mbërrijnë me barka apo e keni fjalën më gjerësisht për stereotipizimin e shqiptarëve në përgjithësi?
Edi Rama: Po qëndrojnë të dyja apo jo? E kam fjalën pikërisht për atë që është thënë nga anëtarë të kabinetit, duke nisur që nga Sekretarja e Brendshme dhe e kam fjalën pikërisht për atë çka është zhvilluar si veçim i një komuniteti të tërë, që është diçka që nuk bëhet në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk e përfaqëson aspak Britaninë, ndaj kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por, siç e thashë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimit tonë ka disa rezultate të qarta që, me të drejtë, kryeministri dhe qeveria këtu po i theksojnë, por, nga ana tjetër, ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim.
-Nuk di çfarë do të thonit lidhur me Kryeministrin britanik, z. Sunak, si ju duket marrëdhënia me të, krahasuar me paraardhësin e tij Boris Johnson?
Edi Rama: Dëgjo, mos më ço aty, se nuk më takon mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje sinqerisht. Më duhet të them që me Borisin kemi pasur një marrëdhënie të mirë miqësore dhe më vjen shumë keq për të. Do të doja të mos e kisha parë siç e pashë dje. Është vërtet një moment i vështirë për dikë që ka qenë në krye të politikës britanike. Ndërkohë, kur bëhet fjalë për z. Sunak, nuk e kam takuar ende. Kemi pasur një bisedë mjaft të këndshme telefonike. Do kem një mendim timin pasi ta kem takuar.
-Këtë shtator shënoni 10 vjet si drejtuesi i vendit tuaj, sa gjatë keni në plan të vazhdoni dhe cilat janë përparësitë e detyrës suaj?
Edi Rama: Siç ju thashë, kam qenë shumë i frymëzuar nga laburizmi i ri. E kemi parë të funksionojë shumë mirë. Sa më shumë ndërlikohet bota, aq më shumë mendoj se përgjigjet e laburizmit të ri janë të duhurat dhe po e shohim këtë. Nga ana tjetër, gjithçka ka të bëjë me zjarrin brenda dhe për sa kohë e ndiej këtë zjarr brenda, nuk do të ndalem.
-Kryeministri Edi Rama, faleminderit që erdhët!
Rama takon kryetarin e parlamentit britanik
Kryeministri Edi Rama ka vijuar vizitën zyrtare në Londër. Ai është takuar këtë të enjte me kryetarin e Parlamentit britanik, Lindsay Hoyle.
Kreu i qeverisë shoqërohej në këtë takim nga ministrat Delina Ibrahimaj dhe Bledi Çuçi, ambasadori shqiptar në Britani, Qirjako Qirko dhe ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith.
“Gjithë të mirat kryeministër, shihemi sërish”, dëgjohet të thotë në fund Hoyle.
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka lënë shënimet e tij në një bllok në Westminster, aty ku janë të vendosura zyrat e parlamentit britanik.
Kujtojmë që më vonë, kryeministri Edi Rama do të takojë homologun e tij, Rishi Sunak./tvklan.al
TË NGJASHME