SPAK rihap dosjet e 15 viteve më parë

Është zbardhur dëshmia e Luftar Reçit, të penduarin e drejtësisë, i cili bëri që të rihapet dosja e bujshme e vrasjeve mafioze ne vitin 2005. Para hetuesve, Reçi ka treguar momentin e takimit me Lulzim Berishën dhe marrëveshjen mes tyre për vrasjen e Klodian Saliut.

“Në fillim të Shkurtit kam takuar në Tiranë, Lul Berishën. Takimi u realizua në vendin e quajtur ‘Stacioni i Trenit, në Tiranë, vend ku unë kisha një kazino timen. Gjatë takimit, Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliu e kishte kundërshtuar dhe kishin frikë se mos i vriste”.

Në rrëfimin para hetuesve, Luftar Reçi ka treguar se si Lulzim Berisha i ka kërkuar që t’i sigurojë një sasi tritoli Emiljano Shullazit, me qëllim vrasjen e Vajdin Lamajt.

“Kujtoj se ka qenë muaji Shkurti i vitit 2005. Më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër. Atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët. Bombën me telekomandë që përgatitëm ia dorëzuam Emiljano Shullazit”.

Për këto 2 ngjarje, hetimi ishte pezulluar për mos zbulim të autorëve, por dëshmia e të quajturit ‘i forti i Dibrës’, Luftar Reçit, i dha SPAK-ut indicie të forta për hapjen edhe një herë të hetimit. Dosja për këto dy vrasje është bashkuar në një të vetme pasi të përfshirë në këto krime janë anëtarët e bandës së Durrësit.

Klan Plus