Artan Tafani u arrestua për grabitjen e pikës së këmbimit valuator në zonën e “Astirit”

6 vrasje, 5 shpërthime me tritol, grabitje me dhunë dhe 3 tentativa për kryerje vrasjesh janë zbardhur nga policia e shtetit falë të penduarit, Artan Tafani. 39-vjeçari është anëtar i grupit të Laert Haxhiut, kundërshtar i Aldo Bares dhe ka zbuluar 19 ngjarje të rënda kriminale.

Tafani u arrestua para një jave për vjedhjen e 30 mije eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit, krim i ndodhur para 3 muajsh. Pas identifikimit policia e ka mbajtur në mbikëqyrje me dyshimin se ai ishte i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Artan Tafani u zbulua pas gjetjes në një garazh së biçikletës që përdori për të larguar nga grabitja e pikës së këmbimit valuator. Në garazh u gjet dhe një makinë që rezultonte se ishte përdorur në një ngjarje të rëndë kriminale. Ai u arrestua në një hotel në Lushnjë. Tafani ka pranuar të dëshmojë duke marrë statusin e të penduarit. 39-vjeçari ka treguar krimet ku ka marrë pjesë dhe të gjithë anëtarët e grupit që drejtohej nga Laert Haxhiu.

Janë vrarë 6 persona. Alban Semaku, Çajup Selimi, Albi Bashaliu, Fridmand Xheferraj, Lulzim Qorri dhe Dikens Halili. Dy të fundit u ekzekutuan në Athinë.

Për të gjitha këto krime u lëshuan 16 urdhër arreste. Janë ekzekutuar 12 dhe katër persona janë ende në kërkim.

Mes të arrestuarve është dhe e dashura e Laert Haxhiut, Klea Gjata.

Operacioni i forcave speciale u përqëndrua kryesisht në Elbasan dhe Lushnje ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurori I Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Organet e drejtësisë priten t’i dorëzojnë autoriteteve greke provat e reja kundër Laert Haxhiut i cili u arrestua më 23 Maj të këtij viti në Janinë. Gjykata greke vendosi të refuzojë ekstradimin e Laert Haxhiut drejt Shqipërisë. Ai ndodhet në burg dhe po gjykohet për akuzën e largimit nga vendi i aksidentit dhe atë prishjes së qetësisë publike. Ai është i dënuar nga gjykata për masakrën e Lushnjës, ku mbetën të vdekur Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ngjarje e ndodhur në 11 Shtator 2017.

TË ARRESTUAR

1.            Artan (Marjus) Tafani

2.            Lulzim Spahija (Arapi)

3.            Ligor Romacka

4.            Erisiano Abedini

5.            Bledar Berberi

6.            Maringlen Topuzi

7.            Bujar Abedini

8.            Enriko Xhahysa

9.            Klea Gjata

10.          Idriz Manej

11.         Fatjon Veliu

12.          Laert Haxhiu

NË KËRKIM

Lorenc Lala

Firdeus Berberi

Kristi Bizheku

Ederin Caushi

Klan News