Një kirurge në Austri është gjobitur pasi amputoi këmbën e gabuar të një pacienti. Në vend të këmbës së majtë, pacientit iu pre e djathta dhe gabimi u zbulua dy ditë më vonë. Të mërkurën, gjykata e Linzit e shpalli fajtore 43-vjeçaren për neglizhencë dhe e gjobiti me 2700 euro.

E veja e pacientit 82-vjeçar, i cili ndërroi jetë përpara se çështja të kalonte në gjykatë, përfitoi 5000 euro dëmshpërblim.  Në Maj, pacienti u shtrua në një klinikë në Freistadt ku i duhej të kryente operacionin, por kirurgia shenjoi këmbën e gabuar. Gabimi u identifikua gjatë një kontrolli rutinë të ndryshimit të fashave dhe pacientit iu tha që i duhej amputuar edhe këmba tjetër.

Drejtori i spitalit kërkoi falje publikisht në një konferencë për shtyp. Në gjykatë, kirurgia tha se kishte patur mangësi në zinxhirin e komandimit në sallën e operacionit. Kur u pyet pse shenjoi këmbën e gabuar, ajo tha: “Thjesht nuk e di”.

Pas incidentit, ajo u transferua në një klinikë tjetër dhe gjysma e gjobës së saj është pezulluar./tvklan.al