“I rëntë kanceri në grykë atyre që s’më votojnë”, ishte kjo shprehja që vite më parë bëri bujë dhe e bëri të njohur kandidatin për deputet vite më parë.

Bëhet fjalë për Hazbi Kasajn, i cili është kandidat për të marrë drejtimin e Bashkisë së Këlcyrës pas zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen këtë fund Qershori.

Mbrëmjen e sotme, ai ishte i ftuar në emisionin “Xing me Ermalin” në Tv Klan, nga ku tha se nuk është penduar që mallkoi ata që nuk do ta votonin, madje shtoi se e ka thënë këtë me gjithë shpirt pasi sipas tij, ata që nuk e votojnë janë në rrugë të gabuar.

Ermal Mamaqi: Ndoshta ata që na ndjekin nuk e dinë, por ti para dy vjetësh kandidove për deputet. Ti iu the atyre që nuk do të të votonin: “Iu raft kanceri në grykë dhe vdekshin të gjithë nesër”. Tani nga informacionet që ke, a ka rënë numri i popullsisë së Këlcyrës?

Hazbi Kasaj: Nëse më votojnë dhe më bëjnë kryetar bashkie nuk vdesin, në rast të kundërt sëmundja do të zhvillohet dhe ata janë drejt eliminimit.

Ermal Mamaqi: Nga e di ti këtë, nga je kaq i sigurt? Ka vdekur njeri nga kanceri ngaqë s’të votoi ty?

Hazbi Kasaj: Kanë vdekur.

Ermal Mamaqi: Mos ia fut kot.

Hazbi Kasaj: Kanë vdekur se mallkimi të zë kur bën keq. Kur dora shkon në vend të gabuar mallkimi të zë.

Ermal Mamaqi: Nuk mendon se duhet t’iu kërkosh falje atyre që i urove të vdisnin nëse nuk do të të votonin?

Hazbi Kasaj: Ata janë në rrugë të gabuar dhe njeriu kur është në rrugë të gabuar më mirë të gjejë vdekjen se sa të jetë mbi tokë.

Ermal Mamaqi: Me gjithë ato mallkime që ke bërë në televizor, nuk ke frikë se mos të vrasin?

Hazbi Kasaj: Jo, unë nuk e quajta mallkim, unë e quajta urim. Fati i keq i tyre është kanceri dhe i miri do ishte që t’më kishin votuar.

Ermal Mamaqi: Ti e the me gjithë zemër apo të shpëtoi?

Hazbi Kasaj: Jo, me gjithë shpirt e kam thënë. Unë jam njeri i drejtë, me ide dhe me vizion, por këta njerëz nuk duan mbarësi dhe shkojnë tek e keqja.

Ermal Mamaqi: Ti nuk merresh me magji që fryn kanatjere?

Hazbi Kasaj: Jo, nuk i besoj, jam ateist në atë fushë./tvklan.al