Një biznesmen i revoltuar është në kërkim të një personi, i cili ra nga 6 metra lartësi mbi një prej makinave të tij, përpara se të largohej nga aty me shpejtësi.

John DiLeonardo është pronar i një biznesi të shitjes së makinave në Florida. Ai shpërndau pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë me shpresën për të gjetur personin që i dëmtoi makinën.

Në to personi në fjalë mund të shihet që bie nga “qielli” me kurriz mbi makinë. Ai bie në mes të saj dhe pasi qëndron për pak sekonda për të mbledhur veten, ngrihet dhe largohet, në dukje pa dëmtime. Megjithatë e njëjta gjë nuk mund të thuhet për makinën, e cila pësoi mjaft dëmtime.

Pronari i makinave beson se personi në fjalë mund të ketë hipur nga pjesa e pasme e biznesit mbi çati dhe ose ka humbur ekuilibrin, ose është hedhur qëllimisht mbi mjet.

John e raportoi ngjarjen në polici dhe shpreson që ta rregullojë automjetin e dëmtuar nëpërmjet siguracionit./tvklan.al