Një i ri britanik është dënuar nga një gjykatë pasi pranoi se kishte shpërndarë drogë për llogari të një shqiptari, të cilit i detyrohej një borxh. Lewis Hanbury, 20 vjeç, u arrestua pak ditë përpara Krishtlindjeve.

Përpara se t’i viheshin prangat, ai u mundua që të arratisej me motor. Hanbury pranoi fajin për posedim kokaine dhe se i kishte rezistuar arrestimit. Mirëpo përpara gjykatës ka arsyetuar se gjithçka e kishte bërë pasi e kishte kërcënuar një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Prokurorja e çështjes së tij, Jenny Yeo, tha se i riu u kap më 16 Dhjetor teksa shiste drogë nga një skuter.

“Agjentët e panë në një motoçikletë që nuk kishte targa. Kur iu afruan, ai u mundua të arratisej duke i marrë njërit prej tyre armën. U desh ndërhyrja fizike e oficerëve që ta vinin në pranga”, tha ajo.

Në atë moment atij i gjetën 19 qese me kokainë. Hanbury deklaroi se i kishte dëmtuar makinën një shqiptari ndërkohë që çiklonte. Ky i fundit e kishte kërcënuar atë dhe familjen nëse nuk paguante riparimet. Ishte kjo arsyeja, sipas të riut, që kishte dalë për të shitur drogë.

Hanbury kishte dënime të mëparshme për grabitje, shkaktim dëmesh dhe prishje të rendit publik.

“Klienti im thotë se ka qenë nën presion dhe nuk ka asnjë provë që ta hedhë poshtë këtë gjë. Ai po punonte nën urdhrat e një njeriu tjetër”, tha avokati i tij mbrojtës, Stephen Thomas.

Mirëpo gjykatësi e dënoi me 18 muaj në një institucion për të rinjtë për shkak të akuzës për shpërndarje droge. 14 ditë të tjera ai do t’i vuajë në institucion për shkak se i rezistoi arrestimit. Gjithashtu i riu duhet të paguajë një gjobë pas daljes nga institucioni./tvklan.al