Emisioni “Rudina” në Tv Klan kishte të ftuar këtë të premte një çift shumë interesant të fejuarish. Bëhet fjalë për një të ri nga Tirana, Ervin Elezi, i cili prej më shumë se dy vitesh është lidhur me një vajzë nga Republika Domenikane.

Nuk bëhet fjalë për një vajzë të thjeshtë pasi i riu ka “qëlluar” në shenjë duke rënë në dashuri me një Miss si Nidia Lorena Sanchez. Ajo ka marrë pjesë në disa kompeticione bukurie ku ka marrë dhe çmimin e parë: “Miss of Latina America 2018” dhe “Miss Tropico Models 2018”.

38-vjeçari Elezi, i cili aktualisht është menaxher i një hoteli në New York, ku jeton prej 11 vitesh, tregoi se si nisi historia e tyre e dashurisë. Ai është takuar për herë të parë me bukuroshen domenikane në Mars të vitit 2018, kur shkoi në Punta Cana për pushime. Bisedat e para mes çiftit janë konsumuar në rrjetet sociale, ndërsa më vonë janë shkëmbyer numrat.

“Por e vërteta ka filluar nga Instagrami. Kam hyrë në Instagram dhe aty ka filluar, i kam bërë një like një fotoje, pastaj një koment edhe pse Nidia në fillim ka qenë shumë e ftohtë. Nuk më ka kthyer përgjigje. Unë isha në New York. Ishte thjesht një shkrim, “je një vajzë e bukur” dhe thashë thjesht po e provoj se në fund të fundit çuna jemi dhe nuk ka asgjë të keqe. Nuk kisha asnjë përgjigje. I kam shkruajtur sërish pas dy javësh dhe aty filluam që bëmë një bisedë si fillim se unë nuk flisja spanjisht, Nidia fliste pak anglisht. Kështu filloi, shkëmbyem numrat derisa shkova për herë të parë në 2018-n në Punta Cana për pushime dhe u takuam”, rrëfeu Ervin Elezi.

Çifti për momentin nuk është bashkë fizikisht për shkak të pandemisë. I riu nga Tirana është bllokuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Sanchez vijon të qëndrojë në Republikën Domenikane./tvklan.al