Emisioni “Stop” trajtoi këtë të mërkurë rastin e dhunës ndaj një doganieri në portin e Sarandës. Por në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes.

Ky vendim e rëndoi situatën, pasi dhunuesi u la i lirë dhe nisi të përndjekë dhe dhunojë psikologjikisht familjen e doganierit. Ky i fundit dhe bashkëshortja e tij treguan, se kanë një vit që persekutohen dhe përndiqen nga dhunuesi, i cili i ka shkuar edhe poshtë shtëpisë.

“Gjatë hetimit duhej të paraqitej në shërbim prove. Pasi doli nga paraburgimi filluan sulmet”, tha doganieri.

“Na kanë përndjekur, na kanë kërcënuar, dhunë fizike tim shoqi, psikologjike unë. Unë jam njeri publik këtu në Sarandë, punoj në institucion shtetëror, mua më vjen turp. Jam shumë e zhgënjyer që nga policia. Bëj kallëzime ata më japin një fletë sikur jam keq për një fletë A4. Më thonë mua do ta ndjekim. Unë e di se është i detyruar me detyrim paraqitje dhe me detyrim paraqitje detyrohet të sillet mirë gjatë asaj kohe. Ndodh e kundërta. Ai bën ç’të dojë me njerëz si ne. Na ka thënë që jemi shumë të vegjël karshi atij. Unë forcën mendoj se do ta gjej tek ju, nuk e gjej as në polici, as në prokurori, as në gjykatë. Më vjen keq se im shoq ndihet shumë i zhgënjyer, jashtë mase. Nuk e kishim parë kurrë se fëmijët e mi do ta përjetojnë këtë. Shpeshherë u them fëmijëve mësoni shumë se do t’ju heq mami nga Shqipëria. Durimi ka kufi, edhe durimi ka kufi. Kam inskenuar shumë gjëra në kokën time, u lodha, u lodha”, ta bashkëshortja e tij.

Ndërkohë në pamjet e kamerave të sigurisë janë filmuar disa raste kur dhunuesi bën presione poshtë shtëpisë së viktimës. Emisioni “Stop” realizoi një takim me prokuroren Aurora Hajro, e cila duket, që nuk ka argument ligjor e moral, për të justifikuar pushimin e çështjes.

Gruaja e Doganierit: Ky është kallëzimi i 3-të, që bëj për të njëjtin person… i 3-ti!

Prokurorja Aurora Hajro: Po!

Gruaja e Doganierit: Të parin e patë të arsyeshme, që të pezullohet, të pushohet.

Prokurorja Aurora Hajro: Po!

Gruaja e Doganierit: I dyti ishit bashkë me kryeprokurorin dhe the, që do ta marr…kallëzimin e dytë, që erdhi përpara shtëpisë time…

Prokurorja Aurora Hajro: Nuk i marrim automatikisht! Ju lutem edhe një herë, ju thashë edhe njëherë, është tjetër kallëzim. Kallëzimi shkon në komisariat, nga komisariati vete aty në regjistër dhe shortohet. Nuk mund t’i marr automatikisht unë.

Gruaja e Doganierit: Unë kam kohë të kaloj në prokurori, kam qejf?! Megjithëse ju e patë, e pushuat çështjen, është e 3-ta herë. Nuk ju bën përshtypje ty është e 3-ta herë, është i njëjti person, edhe e mbyllët çështjen?!

Prokurorja Aurora Hajro: Unë nuk kam…,po ta përsëris edhe njëherë, nuk i kam unë kallëzimet e tjera, se do ta sqaroja po ta kisha unë…nuk i kam unë. Ndoshta i kanë prokurorët e tjerë. Unë nuk mund të të përgjigjem për gjërat, që s’i kam unë.

Gruaja e Doganierit: Se atë, që kishit, u përgjigjët shumë mirë…!

Prokurorja Aurora Hajro: U përgjigjëm mirë u përgjigjëm keq, ju keni të drejtat ligjore, ju kam thënë në lidhje me këtë…

Gruaja e Doganierit: Po patjetër, po na zhgënjyet totalisht, sepse tjetër thatë edhe tjetër bëtë!

Prokurorja Aurora Hajro: Unë nuk thashë asgjë gjë …!

Gruaja e Doganierit: Ju thatë, që do ta shikoje me prioritet, këto nuk jau mohon njeri. Pamjet filmike nuk i mohon njeri. Atë, që ju ka bërë, s’jua mohon njeri…

Prokurorja Aurora Hajro: E ç’do të thotë me prioritet…,po pra, janë në dosje dhe s’i mohon njeri. Janë të këqyrura…

Gruaja e Doganierit: Dhe këto nuk përbëjnë çështje penale?!

Prokurorja Aurora Hajro: Nuk të kam thënë asnjëherë, që nuk përbën çështje penale.

Gruaja e Doganierit: Po ti, e ke pushuar çështjen?!

Prokurorja Aurora Hajro: Pushuar për shkak të goditjes, për shkak të detyrës. Ka një rrahje këtu dhe kjo është e provuar. Për këtë pjesë, mund të ankoheni në gjykatë./tvklan.al