I riu kërcënon punonjësin e karburantit me pistoletë lodër

Teksa mëngjesin e sotëm, një punëtor karburanti në Fier u vra me plumb në kokë, gazetarja Aida Topalli sjell një video të një tjetër punëtori karburanti dhe rrezikshmërinë me të cilën përballet.

Ky është një person i sapo liruar nga burgu, për veprën penale të vjedhjes me dhunë. Bëhet fjalë për Elvis Harrokun. Para 5 netësh ai ndalon në një karburant në rrugën “Myslym Shyri”. Pret derisa punëtori i karburantit të përcjellë klientin dhe më pas, siç duket në pamje, punëtori shkon në drejtim të tij. 

Më një shishe ujë në dorë, hajduti i afrohet dhe i kërkon para. Punëtori reagon ashpër, duke e shtyrë. Në acarim e sipër, i riu, që kishte për qëllim marrjen me dhunë të xhiros ditore, i drejton një armë. Përleshja vazhdon dhe zhvendoset përtej syrit të kameras. 

Fatmirësisht punonjësi i karburantit arrin të telefonojë policinë. Autori, i mbetur në tentativë, largohet nëpër rrugicat e një prej lagjeve të Myslym Shyrit. 

Brenda pak orësh, lokalizohet nga policia dhe arrestohet. Rezultoi që arma me të cilën kërcënoi punëtorin e karburantit të kishte qenë lodër. Megjithatë, kjo nuk e përjashton mundësinë që ky person, të pajiset me armë të vërtetë dhe vjedhjen e radhës ta kryejë me pasoja në njerëz.

Klan Plus