Gëzim Doçi tregoi në emisionin “Stop” se ka tumor në kokë, për të cilin ka bërë dhe dy ndërhyrje. Çdo vit i duhet të kryejë 9 analiza, por që nga muaji Maj ka bërë vetëm 5, pasi në QSUT mungojnë reagentët.

“Jam invalid i grupit të plotë dhe kam bërë dy ndërhyrje kirurgjikale. Në bazë të të gjitha rregullave kam marrë rekomandimin që në Maj dhe nuk m’i bëjnë 9 analizat që duhet t’i përsëris çdo vit. Që në Maj më kanë bërë vetëm 5 se thonë që nuk kanë reagentë. Kam 4 muaj që po më zvarrisin dhe nuk m’i kanë bërë analizat që më duhen patjetër”,

rrëfeu denoncuesi.

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” iu drejtua Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të verifikuar mungesën e reagentëve.

Qendra e Konsultave, specialistet:

Qytetarja – Që më datë 12 Prill ka pasur për të bërë këto (analiza). Nuk i ka bërë për mungesë reagentësh. Kam ardhur të pyes nëse ka reagentë. Kanë ardhur? Kam ardhur edhe para një jave dhe më thanë që nuk ka reagentë. Tani më kanë ngelur vetëm këto për të bërë. Këto (analiza) më kanë thënë që nuk i bëjnë këtu.

Specialistja 1- 

Për pjesën e këtyre do ta marrësh tek Zyra e Informacionit, për më shumë informacion!

Qytetarja – Më datë 12 prill, ka pasur për të bërë këto (analiza). Gjysmat i ka bërë. Këto i ka bërë para një jave, për këto të tjerat i thonë, që nuk ka reagentë.

Specialistja 2

Po nuk ka pra! Nuk kanë ardhur akoma. Fol tek dhoma 3.

Mjekja laborante:

Qytetarja – Më thanë që të pyes këtu për reagentët, për këto të treja. Kanë ardhur? Sepse kam që më datë 12 prill që po presim për t’i bërë.

Mjekja laborante –

Po ishte Gëzimi para një jave, edhe bëri njërën nga këto.

Qytetarja – E di!

Mjekja laborante –

Që u mundësua, erdhi nga…

Qytetarja – Tani, thjesht po pyes prapë.

Mjekja laborante –

Jo, nuk kanë ardhur! Po të kishin ardhur, unë do t’ju kontaktoja se unë e kam numrin e Gëzimit dhe i kam thënë që në momentin që unë do të kem informacionin më të vogël, që këto reagentë, ka ardhur furnizimi në depon e…laboratorit, do ta kontaktojmë që të vijë t’i bëjë.

Pasi nuk gjeti zgjidhje në spitalin shtetëror, Gëzimi iu drejtua një laboratori privat, ku analizat kushtonin plot 255 mijë lekë.

Qytetari – Zonjë, përshëndetje!

Laborantja

Mirë. Si kaluat?

Qytetari – Jam i interesuar për të bërë ca analiza.

Laborantja

Po!

Qytetari – Kam bërë që në Maj atë letrën (lista e analizave), është marrë atje tek “ Qendra e Konsultave” tek Nënë Tereza, por s’mi kanë bërë. Më thonë s’kemi reagentë. Sa bëjnë, sa kushtojnë?

Laborantja –

Të gjitha?

Qytetari – Po!

Laborantja –

20 (mijë lekë) PSH; 20 (mijë lekë) Pesticidet.

Qytetari – Nëntë copë janë.

Laborantja –

25 (mijë lekë) Testosteroni; Kortizoli 20 (mijë lekë); ACTH-ja është 20 (mijë lekë); PT3, PT4 40 (mijë lekë) të dyja; GH-ja 20 (mijë lekë) dhe 55 (mijë lekë) që është IKP1. Këto shkojnë 255 (mijë lekë).

Ndaj dhe Gëzim Doçi i bëri apel shtetit që të mos i sorrollatin më të sëmurët dhe t’i çojnë në laboratore private, pasi nuk kanë mundësi ekonomike për t’i përballuar.

Veç kësaj, që nga muaji Shkurt medikamenti që ai përdorte ka dalë nga lista e rimbursimit, duke ia bërë mbijetesën të pamundur pacientit Gëzim Doçi./

tvklan.al