Hajdër Bendaj i është drejtuar emisionit “Stop” në Tv Klan për një problem shëndetësor. Ai vuan nga kanceri i tiroides dhe është trajtuar me medikamentin “Nexavar” për 6 muaj nga mjekët e QSUT. Këtë ilaç ia kanë rekomanduar mjekët në Turqi, ku dhe është operuar. Megjithatë, për të marrë këtë ilaç është shumë e vështirë.

Vetë pacienti Hajdër Bendaj tregon se një kuti e këtij medikamenti kushton 5 milionë Lekë të vjetra në muaj. Një kuti “Nevaxar” ai duhet të përdorë çdo muaj dhe këtë mjekim duhet ta marrë për një vit. Mirëpo, ky ilaç nuk është në listën e barnave të rimbursueshme dhe vështirësitë ekonomike janë të mëdha.

Hajdër Bendaj:

Jam i sëmurë me kancer tiroidesh dhe mjeku më ka rekomanduar ilaçin “Nexavar”. Mjekët turq më ka thënë që do ta nxjek këtë ilaç për një vit. Rreze nuk do bëj sepse kam marrë tepër dhe nuk më bëjnë më efekt. Kështu që mundësia e vetme është ky mjekim. Doktorët në Shqipëri më kanë thënë që ky mjekim nuk është për këtë sëmundje. Ky ilaç merret një pako në një muaj. Doktorët më thanë për një vit. Një pako kushton 5 milionë. Unë kam një KEMP invaliditeti, gocën e kam studente, çunin student. Gruaja është pa punë. Çfarë të bëj? Të mjekohem, të ha bukë, të blej ilaçe? Le që 5 milionë si mund t’i marrësh këto”.

Hajdër Bendaj ka bërë kërkesa për ta marrë këtë ilaç me rimbursim, por përgjigjia nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor është se medikamenti në fjalë, nuk është në listë. Mjekja onkologe pranon se ky është ilaçi që i duhet zotërisë, por duhet të kishte më shumë presion nga ana e shefit të shërbimit kundrejt Fondit për rimbursim.

Denoncuesja: Përderisa dhe ju dhe doktor Agroni më keni thënë, i takon…

Mjekja onkologe: Ne s’kemi alternativë tjetër, se po të kishim për shembull një alternativë tjetër, e kaloja në alternativë tjetër. Këta (Fondi) e lanë zbuluar fare.

Denoncuesja: Është cështja, se i takon vërtet.

Mjekja onkologe: I takon moj zemër, i takon.

Denoncuesja: Se unë kam folur edhe me doktor Agronin edhe me mjekë të tjerë..

Mjekja onkologe: Edhe Agroni duhet të bënte pak më shumë presion në fillim, mos ta linte në mëshirë të fatit.

Denoncuesja: Ça të them unë?!

Mjekja onkologe: Sot është mbledh Komisioni  do zgjidhet besoj.

Denoncuesja: Po përderisa dhe ju thoni, i takon, mbase bëhet ndonjë gjë.

Mjekja onkologe: Po si nuk i takon?! I takon! Unë të thashë vetë- bëj një përcapje, që nëpërmjet teje, ta marrin të gjithë barin, se është gjynah.

“Stop” ka shkuar tek Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor. Aty pacientit i thonë se për të përfituar këtë ilaç me rimbursim, duket të dërgohet një draft tek Ministria e Shëndetësisë që më pas ky institucion e dërgon tek Këshilli i Ministrave, dhe nëse miratohet, atëherë propozimi kthehet sërish pas në të gjitha këto institucione. Në një situatë të tillë, Fondi e dërgon sërish pacientin tek Shërbimi Onkologjik dhe i rekomandon që t’i kërkojë mjekes që e ka ndjekur t’i ndryshojë skemën e mjekimit.

FSDKSH: Ka një problem diagnoze babai, që nuk mbulohet nga shërbimi, që e lëshon këtë preparat. Nëse përgatitet një protokoll, që është i përbashkët i shërbimeve, domethënë, që janë në shërbim të babit, në raport me diagnozën e kam fjalën…

Denoncuesja: Tani, unë cfarë duhet të bëj?

FSDKSH: Po juve s’keni, cfarë bëni. Kjo është iniciativë, që e ka shërbimi. Specialisti, që të ndjek ty, duhet të jetë aq i sensibilizuar dhe praktik nga mëndja, të punojë me komisionin e shërbimit të vet, ku punon edhe të thotë: prit icik, është kjo situata! Dakord?

Po thonë dhe po vijnë referenca, që nuk ka një protokoll, që e parashikon trajtimin e këtyre diagnozave me këtë preparat. Dakord? Kemi neve një protokoll të azhornuar si shërbim?

Denoncuesja: Nuk e di…

FSDKSH: Kështu që procesi për të kaluar është i domosdoshëm, ky që është tani që janë në shqyrtim, që thonë janë në shqyrtim dhe kur del një produkt final, shkon në Ministri, Ministria e rishikon dhe një herë, e rishqyrton dhe një herë dhe në qoftëse e miraton atë produkt, që s’ka nevojë për modifikime të tjera, e propozon në Këshill të Ministrave për miratim.

Mjekja duhet të gjejë një skemë tjetër. Ti insiston, që e do me rimbursim, se vetë nuk e blen dot.

Denoncuesja: Normalisht!

FSDKSH: Jo këtë preparatin, s’po them për këtë preparatin. Këtë s’e përfiton, kjo u nda, të paktën deri tani, që flasim. Por cila është mënyra më e mirë, skema e mjekimit i thuaj, që unë ta përfitoj me rimbursim, se unë ndryshe s’kam mundësi, që ta blej.

Tani, për këtë vit, është mbyllur ajo. Në qoftë se e kanë bërë, e kanë bërë dhe janë në shqyrtim praktikat.

Doktoresha onkologe thotë se për sëmundjen që ka z.Hajdër Bendaj nuk ka filluar të ketë protokoll, por do të bëjë kërkesë urgjente. Madje në kamerën e fshehtë, mjekja onkologe dëgjohet duke u thënë familjarëve të pacientit se e duan atë shumë se sa vetë të afërmit. Për shkak të burokracive, Hajdër Bendaj ka 8 muaj që nuk merr mjekim.

Mjekja onkologe: U bë ndryshimi, që u futën barnat e listës në sistem. Domethënë kanceri tiroiden me target-terapi, neve si staf nuk e kemi filluar akoma si protokoll. Domethënë, ne kemi aplikuar vetëm protokollet, që vijnë nga jashtë dhe bari ishte në listë rimbursimi. Në momentin, kur barnat u futën në sistem, bari nuk u mor parasysh, për t’u futur në kancerin tiroiden.

Gazetarja: Ky bar?

Mjekja onkologe: Ky bar! Nuk u mor parasysh. Domethënë, Komisioni nuk e vlerësoi, se ky bar mund të bëjë dicka në kancerin tiroiden, sepse ne vetë nuk kishim të dhëna të sakta.

Gazetarja: Cili bar mendoni, se i duhet zotërisë?

Mjekja onkologe: Vetëm ky është, nuk ka të tjerë.

Gazetarja: Kush e mban përgjegjësinë tani. që zotëria ka 8 muaj pa u trajtuar?

Mjekja onkologe: Tani më shumë se e duam ne, nuk besoj se e do ti pacientin!

Shefi i shërbimit, endokrinologji: Doktoreshë Dhurata (mjeke onkologe) dhe unë do t’i bëjmë një letër, do ta kalojmë edhe një herë në drejtori. Drejtoria do marri masat, që ta cojë që sot ose të hënën në mëngjes dhe kur të jesh tek mbledhja e Fondit (i drejtohet doktoreshë Dhuratës) ngrije edhe një herë këtë problem edhe thuaj të bëjmë një shtesë indikacioni.

Drejtuesit e emisionit “Stop” i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërhyjë për të zgjidhur problemin e këtij pacienti, për shkak të kostos së lartë të medikamentit. Nga kanceri i tiroides janë të prekur 4-5 pacientë të tjerë në gjithë vendin.

/tvklan.al