Ngjarja e rëndë në një gurore në Krujë

Shpërthimi i një mine i mori jetën një personi këtë të diel në Krujë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në një gurore të licencuar në fshatin Kurcaj. Viktima është një 55-vjeçar me iniciale A. J. Sipas policisë, ai po punonte në gurore dhe gjatë montimit të minave elektrike dyshohet se aksidentalisht i ka shpërthyer njëra prej tyre duke i marrë jetën.

Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe G.D., po 55 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë autoritetet policore shoqëruan për veprimeve të mëtejshme në Komisariatin e Policisë Krujë përfaqësuesin ligjor të firmës dhe një punonjës tjetër që ishte prezent në momentin e shpërthimit.

Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë./tvklan.al