Gladiol Metushaj arriti t’i shpëtonte policisë 5 vjet më parë, atëherë bashkëpunëtorët e tij u vunë në pranga pasi u kapën me drogë. I dënuar me 12 vjet burg në mungesë, arratia e 43-vjeçarit nga Saranda mori fund.

Në një njoftim për mediat, Policia e Vlorës thotë se Metushaj u arrestua mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative falë operacionit të koduar “Kanina”.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim të formës së prerë, e ka dënuar me 12 vite burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 43-vjeçari është autori i 5-të i ngjarjes së ndodhur më 19 mars të vitit 2015, në lagjen “4 Heronjtë”, Vlorë, ku u kap një sasi lënde narkotike 30 kg, e llojit çokollatë, ngjarje për të cilën u kapën dhe arrestuan në flagrancë dhe 4 shtetas të tjerë”, thuhet në një njoftim të Policisë së Vlorës./tvklan.al