Numri i personave që humbën jetën nga tërmeti i fuqishëm që goditi lindjen e Turqisë mbrëmjen e së premtes ka shkuar në 22. Mbi 1.000 të tjerë janë lënduar, ndërsa mediat raportojnë se ndërtesa të shumta janë shembur për shkak të lëkundjeve.

Ndërkohë që ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke u munduar të shpëtojnë personat e mbetur nën rrënoja, ata që mbijetuan i luten Zotit për ndihmë.

“Shtëpitë u shembën… nuk mund të futemi më brenda”, tregoi një 32-vjeçar nga Sivrice, ku ishte edhe epiqendra e tërmetit.

“Në fshatin tonë disa njerëz humbën jetën. Shpresoj Zoti të na ndihmojë. Kafshët ngordhën. Familjet tona u mblodhën bashkë, të mbuluar me batanije rreth zjarrit për të kaluar natën”, u shpreh ai për mediat.

Turqia ndodhet në një zonë sizmike dhe është prekur shpesh nga tërmetet. Në vitin 1999, 17.000 persona humbën jetën për shkak të një tërmeti të fuqishëm në Izmit.

Ndërkohë për sa i përket këtij që goditi vendin të premten, numri i të vdekurve mund të rritet, pasi raportohet për persona që kanë mbetur nën rrënoja./tvklan.al