Një lajm i mirë vjen për 35-vjeçaren Jurida Greku, familja e së cilës është prekur nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Thumanën më 26 Nëntor.

Jurida Greku është një prej të mbijetuarave të tërmetit. Paraplegjike dhe në karrocë me rrota, 35-vjeçarja u shpëtua nga daja i saj.

Fondacioni “Firdeus” dhe Elvis Naçi kanë dhënë lajmin e mirë se për Jurida Grekun do të ndërtohet një apartament. Kjo ishte në fakt edhe kërkesa e vetme që kishte Jurida, e cila në një intervistë që kishte dhënë për Tv Klan, apelonte për të pasur një banesë për shkak edhe të gjendjes së saj dhe pamundësisë për të jetuar në çadër..

“Unë në këtë çadër nuk kam asnjë lloj kushti, nuk kam asnjë lloj ndihme. Kam fjetur në tokë, pa batanije, pa asnjë gjë. Unë i lutem shtetit, i kërkoj ndihmë shtetit. Kam nevojë për kushte, kam nevojë për shtëpi, kam nevojë për gjithçka. Kam nevojë për ndihmë! Edhe mami mundohet shumë pas meje. Nuk ka çfarë të më bëjë. Ka nevojë ta ndihmojnë edhe mamin tim”, tha Jurida për Tv Klan në intervistën e saj më 29 Nëntor.

Nëna e Juridës, Ëngjëllushja, nuk kërkoi asgjë më shumë se për të pasur një çati mbi kokë.

Unë dua sikur një hyrje të vogël, një dhomë, kuzhinë, banjë, korridor. Të ketë dhomën e saj, të ketë rehatin e saj, të ketë krevatin e saj. Ajo duket, shikojeni. Dilni jashtë ju që të ndërroj unë vajzën. Që çfarë fatkeqësie më ka rënë. Unë nuk kërkoj për shembull më nxirr jashtë, as na ço në spital. Nuk kërkoj ndihmë më hip në avion dhe ma ço në filan spital. Unë dua të jetoj me të, kaq i dua shtetit”, ishte shprehur ajo.

Më në fund pak shpresë për znj.Ëngjëllushe dhe vajzën e saj Jurida, për të cilat Fondacioni “Firdeus” ka arritur të sigurojë ndërtimin e një banese.

Familja Greku në Thumanë humbi tre anëtarë nga tërmeti shkatërrues; Pëllumbin, Çeliken dhe Sajmir Grekun. /tvklan.al