Një tragjedi e vërtetë ndodhi këtë të premte në fshatin Ostren i Madh të Bulqizës. Tre pjesëtarë të një familjeje, Rajmonda Tola, 40 vjeç dhe dy fëmijët e saj Rudina 19 vjeçe dhe Fatjoni 14 vjeç, u gjetën pa jetë nga të afërmit, në shtëpinë e tyre.

Vetëm vajza më e vogël e familjes, Merita 8 vjeçe mundi të shpëtojë. Ajo ndodhet në Spitalin e Traumës, ku u vizitua nga Presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit bëri të ditur gjendjen shëndetësore të saj, e cila paraqitet e stabilizuar dhe e qëndrueshme

“Për fat të mirë gjendja e Meritës, vajzës nga Bulqiza është e mirë edhe e qëndrueshme. Mjekët po bëjnë një punë shumë të mirë, për ta mbajtur jashtë çdo rreziku, ashtu sikurse dimë që ka ndodhur një dramë shumë e madhe në familjen e saj”, i cili i shprehu sërish ngushëllimet të afërmve të familjes Tola.

Tragjedia e trefishtë ndodhi gjatë natës. Të gjithë anëtarët e familjes kanë qenë të gjithë në dhomën e gjumit, kur besohet se gazi ka nisur të rrjedhë dhe askush nuk e ka ndjerë. Gruaja dhe 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi bashkëshorti i saj Albert Tola ishte emigrant në Greqi.

Policia po kryen hetime për të zbuluar nëse bombola ishte brenda parametrave të duhur teknike, apo gazi është lënë i hapur nga pakujdesia./tvklan.al