Kundërshtarët e tij kishin dijeni për të gjitha lëvizjet e 48-vjeçarit

I shumëkërkuari i Francës dhe Shqipërisë, Domart Konjari dyshohej se fshihej në vendin tonë, të paktën gjatë 2019-ës. Pavarësisht se drejtësia shqiptare e kërkon që nga 2015-ta dhe nuk ka mundur që të bjerë në gjurmët e tij, mesa duket kundërshtarët e Konjarit kishin informacion për çdo lëvizje që ai kryente në vendin tonë.

Ai është dënuar me 15 vite burg në mungesë, nga ish-gjykata e krimeve të rënda, për kalim të paligjshëm të kufirit në vendin tonë, dhe për akuzat e ngritura nga Franca për “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”.

Bashkëpunëtori i drejtësise, Enver Jamaku, i cili zbardhi 3 ngjarje kriminale dhe zbuloi vendndodhjen e 18 bazave të armatimeve që përdoreshin nga krimi i organizuar për të kryer vrajse, ka treguar edhe lëvizjet e Konjarit në vendin tonë.

Sipas Jamakut, në Tetor të 2019, të dyshuarit Flor Abazi, Paris Deda dhe Blendi Deda, i kanë kërkuar që kundrejt parave të vriste Domart Konjarin. Dëshmitari thotë se këto persona i kanë dhënë një automjet për të ndjekur Konjarin dhe dy mina me telekomandë.

Ai ka rrëfyer se porositësit, i kanë treguar foto të viktimës, llojin e automjetit që përdorte dhe të gjitha vendet që frekuentonte. Sipas dëshmitarit, Konjari përdorte një makinë Mercedes Benz, ngjyrë e zezë me targë “KSBX111”.

Para hetuesve, Enver Jamaku ka treguar se një ditë para ngjarjes e kanë telefonuar porositësit dhe i kanë treguar që automjeti i Konjarit është parkuar në rrugën “Ramazan Bogdani” në kryeqytet, në vendin ku ndodhi edhe shpërthimi.

Nga hetimet në atë kohë mjeti rezultoi që ishte në pronësi të Artion Bylykut, kunati i të shumëkërkuarit Domart Konjari. Enver Jamaku së bashku me kusheririn e tij Ermond Jamaku dhe Gjergj Cukalin u arrestuan për atentatin ndaj Gjon Menës në Kamëz, ngjarje e ndodhur më 9 Shkurt.

Klan News