Laert Haxhiu, një nga personat më të kërkuar të policisë dhe i dënuar me 18 vite burgim nga Gjykata e Apelit për plagosjen e Xhulio Shkurtit në vitin 2016, nipit të Aldo Bares, është gati që të dorëzohet dhe të sqarojë pozicionin e tij përpara drejtësisë.

Kështu ka deklaruar për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus babai i Laertit, Qamil Haxhiu.

Në intervistën e tij, Qamil Haxhiu thotë se kërkon garanci që djali i tij të dorëzohet. Ai e konsideron të padrejtë vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit, që e ka dënuar me 18 vite burgim Laert Haxhiun, sikurse shprehet ai vetë, për një plagosje.

Qamil Haxhiu: Ai e sqaron pozicionin e tij por kush e merr garant jetën e tij? Le të dali garant një njeri. Le të dali garant. Dua të them që s’ka garanci. Nëpër burgje shumica e këtyre janë nëpër burgje. Shumica e këtyre kanë qenë të lidhur të gjithë. Kush i ka pasur nëpër duar tenderat? Kush e ka pasur Divjakën? Kush i ka pasur tenderat e shkollave? Kush i ka pasur tenderat e veshjeve, të pllakave, trotuareve? Po këta i kanë pasur.

Pyetje: Jeni gati që të negocioni me djalin tuaj në këmbim të sigurisë së tij për t’u dorëzuar?

Qamil Haxhiu: Po patjetër s’i s’negocioj. E kam thënë dhe e them prapë. Djali duhet të vetëdorëzohet. Megjithatë ai nuk është i vogël. Po duke mos pasur garanci nga shteti. Kush jep garanci… Ai fshihet se nuk është ndonjë burg 3 vjet, i thonë 18 vjet burg. Nuk i fshihet ngjarjeve që ndodhin në Lushnje. I fshihet burgut që ka për të bërë. Kushdo që të jetë, po pati 18 vjet burg a mund të vesh ti me këmbët e tua kur nuk ke asnjë lloj garancie. Është shumë dënim i padrejtë për masën që ka marrë. Në të njëjtën kohë që dihet shumë mirë, njerëzit kanë bërë nga 3-4 vrasje dhe kanë marrë nga 25 vjet burg, kurse djali im për plagosje ka marrë 32 vite burg. Ç’a është kjo? /klan plus