Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka kësaj here nuk do të flasë për politikën, por për disa nga traditat më të veçanta të Shkodrës, qytetit të tij të lindjes.

Në programin “Rudina”  në Tv Klan, Ndoka tha se Shkodra është një krenari kombëtare për një sërë traditash të ruajtura brez pas brezi, ku përmendi fotografinë, këngët, humorin e arkitekturën. Ai kujtoi dhe vitet e rinisë së tij në Vaun e Dejës, atje ku edhe u shkollua.

Nard Ndoka: Të gjitha të veçanta, kënga shkodrane që shoqëron çdo darsëm.

Rudina Magjistari: Darsëm! Thatë darsëm?

Nard Ndoka: Po.

Rudina Magjistari: I thoni darsëm, edhe Shqipëria e mesme e përdor apo jo, e kam dëgjuar.

Nard Ndoka: Pastaj është fotografia që ka histori në Shkodër me Marubin e famshëm.

Rudina Magjistari: Marubi ka bërë historinë e gjithë Shqipërisë ë?

Nard Ndoka: Po patjetër, por në mënyrë të veçantë ishte i lidhur me Shkodrën, pavarësisht se u desh një italian që të vinte dhe ta linte si trashëgëmi. Janë shumë gjëra që të lidhin me traditën, arkitektura në Shkodër është e veçantë që i mbart të gjitha kulturat.

Rudina Magjistari: Ju deri në ç’moshë keni jetuar në Shkodër?

Nard Ndoka: Unë kam jetuar në Vaun e Dejës tamam, ajo është jeta ime. Kam jetuar, kam bërë shkollën, kam gjithë pjesën e rinisë të lidhur me Shkodrën dhe historinë e saj. Është një qytet që është dhe një lloj krenarie kombëtare, duhet ta pranojmë sepse janë shumë gjëra të para që lidhen me të. Teatri, libri,fotografia, futbolli, humori. Janë gjëra që nuk kanë humbur, janë trashëguar ndër breza, kjo është e veçanta./tvklan.al