E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ka qenë e ftuar Elidjana 39 vjeç. Në moshën 12-vjeçare Elidjana humbi nënën dhe u gjend përballë një situate të pazakonte, i ati kaloi në depresion dhe vogëlushja si me e madhja e shtëpisë është kujdesur për të tre motrat e saj dhe vëllain. Fëmija më i vogel asokohe ishte vetëm 2 vjeç.

Babai u martua sërish dhe bashkëshortja qe mori kishte dy fëmije si dhe një fëmijë tjetër erdhi në jetë nga martesa e tyre. Elidjana tregon se ajo kujdesej për shtëpinë ndaj u detyrua ta linte shkollën ndërsa njerka punonte tokën.

Më pas Elidjanën e martojnë me lajmësi, ku nga martesa erdhën në jetë tre fëmijë të cilët gruaja ka zgjedhur t’i shkollojë edhe pse vështirësitë që po kalon janë të medha.

Elidjana mban familjen pasi i shoqi pas një aksidenti ka dëmtuar krahun dhe nuk është në gjendje të punojë, ndërkohe ajo e mban familjen vetëm me te ardhurat që nxjerr nga shitja e bimëve medicinale, të cilat i grumbullon në mal.  Familja nuk merr as ndihme ekonomike dhe as Kemp. Ata jetojnë në banesën e tyre dhe kërkojnë vetëm një ndihmë nga shteti .

Mirela Milori: Sa vjeç ishte kur nëna ndërroi jetë?

Elidjana: Isha 11 vjeç e gjysmë. Ne ishim 5 fëmijë, 4 motra dhe 1 vëlla, unë isha e madhja.

Mirela Milori: Nëna u largua nga ndonjë sëmundje e papritur?

Elidjana: Nëna në fakt pati infarkt, më e keqja qe se isha vetëm, kur vdiq. Unë mendoja se e kisha harruar, por nuk e harroj dot. Ka qenë Nëntor i vitin 1994, nuk e harroj dot, ishte e tmerrshme. Një fëmije 12-vjeçar t’i vdesë e ëma në duar, nuk e di. Që atëherë filluan vuajtjet e mia. Motra e vogël ishte 2 vjeç e gjysmë, vëllai ishte 10, motra tjetër Marsida ishte 8 dhe tjetra 7.

Mirela Milori: Si ishin ato ditët e para? Si filloi të funksiononte familja pa praninë e nënës?

Elidjana: Shumë keq, kushte nuk kishim, s’kishim lavatriçe, ishim në fshat, rrobat laheshin me dorë. Unë ngrihesha herët që i bëja mëngjesin kalamajve, iknin në shkollë.

Mirela Milori: Ti ishe 12 vjeç dhe u bëre zonjë shtëpie?

Elidjana: Po u bëra zonjë shtëpie, babi ndenji 2 vite pa martuar.

Mirela Milori: Domethënë ti bëje gjithçka në shtëpi, laje, shpëlaje, gatuaje, të gjitha?

Elidjana: Po të gjitha, bukën e bënim vetë, kishim dhe lopë, do rregulloje lopën, do kishe punë. Klasën e 7 e lashë në gjysmë, po mendoja për fëmijët e tjerë dhe nuk mendova për veten time.

Elidjana tregon se edhe pse aq e vogël në moshë lante rrobat në kazan, një proces mjaft i lodhshëm, sidomos për një fëmijë.

Mirela Milori: Pas 2 viteve babai vendosi të martohej, në shtëpi erdhi një grua tjetër, si ishte marrëdhënia me të?

Elidjana: Shumë e mirë ishte, na donte dhe na do prapë. Ajo bëri dhe një gocë. Babi im qante hallet me mua dhe na pyeti, si të bëj të shkoj ta marr? Sepse ajo ishte 15 vite më e vogël se babi, kur erdhi në atë kohë ishte 24 vjeç. Unë i thashë shko merre, por babi tha që është e vogël. I thashë e vogël e madhe, unë nuk e përballoj dot më shtëpinë. Mua më doli mami në ëndërr, para se të martohej babi, më dilte shpesh dhe më thoshte që keni mamin këtu juve, unë i thoja në ëndërr po pse kur unë hap sytë ti ikën? Ajo më thoshte do vij prapë unë dhe nusen do ia gjej unë babit. Unë i thoja babit që ta ka gjetur mami nusen që kështu do shkosh ta marrësh. U vesh prapë babi dhe vajti e mori.

Mirela Milori: Si ishte dita kur erdhi Luljeta në shtëpi?

Elidjana: Unë i thashë babit sille, por kisha dhe si frikë përbrenda. Kisha parë filma dhe thoja si do jetë. Motra e katërt nuk e donte, thoshte na i zë vendim e mamit, por tani e do. Ajo e mblodhi shtëpinë se babi ishte burrë.

Elidjana tregon se u martua me shkuesi dhe filloi sërish që ajo të lante rroba dhe të bënte punët, kushtet ishin të vështira, vjehrra ishte e moshuar, ndërsa vjehrri vuante nga kanceri i mushkërive. Ajo ishte shtëpiake, edhe burrin e kishte më shumë pa punë sesa me punë. Lindi dhe një djalë ku kujdesej edhe për të.

39-vjeçarja tani mban familjen pasi i shoqi pas një aksidenti ka dëmtuar krahun dhe nuk është në gjendje të punojë. Ajo nxjerr të ardhurat vetëm nga shitja e bimëve medicinale, të cilat i grumbullon në mal.  Familja nuk merr as ndihme ekonomike dhe as Kemp. Ata jetojnë në banesën e tyre dhe kërkojnë vetëm një ndihmë nga shteti. /tvklan.al