Publikohen pamjet e një krimi makabër në Turqi. 35-vjeçaraja Sengul Vatansever u takua me të dashurin e saj 5 vite më të ri që kërkonte pajtimin, por pas refuzimit i riu e lagu me benzinë, i vuri flakën dhe e hodhi nga makina në ecje.

Vatansever nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të madha dhe humbi jetën, ndërsa pamjet kanë shkaktuar reagime të mëdha në vend.

Krimi makabër ka ndodhur 5 ditë më parë në Bursa të Turqisë. “Hurriyet” raporton se 35-vjeçarja donte të ndahej nga U. V., me të cilin kishte qenë e lidhur. 30-vjeçari i cili jetonte në Kutahja shkoi në Bursa për t’u pajtuar me Vatansever, e mori në makinë dhe i tha se kërkonte një shans të dytë.

Por refuzimi i saj e ka çmendur të riun i cili e lagu me benzinë dhe i vuri flakën në makinë. Pas pak minutash ai raportohet se ia ka shuar flakët me një xhaketë, ndërsa më pas e ka hedhur nga makina dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Momenti që 35-vjeçarja hidhet nga makina është filmuar me telefon nga kalimtarë të rastit, të cilët e kanë mbështjellë me batanije dhe e kanë dërguar në spital, ku edhe humbi jetën.

Policia u vu në ndjekje të të dyshuarit, i cili nuk iu përgjigj thirrjeve për të ndaluar. U. V. u kap i plagosur rëndë pasi në tentativë për t’i ikur policisë përplasi makinën./tvklan.al