Babis Anagnostopoulos, piloti 32-vjeçar grek që vrau gruan e tij 20-vjeçare më 11 Maj në Greqi, u dërgua sot përpara prokurorit për t’u njohur me masën e arrestit.

Masa të forta sigurie ishin ndërmarrë për të bërë transferimin e tij. Në pamjet e publikuara nga mediat greke, 32-vjeçari është veshur me jelek antiplumb dhe rrethohet nga disa policë.

Babis Anagnostopoulos u shfaq i qetë kur u njoh me masën e arrestit dhe kërkoi kohë deri të martën për të dalë në gjykatë me qëllim që avokati mbrojtës të ketë kohë të përgatisë mbrojtjen. Kërkesa iu miratua dhe të martën 32-vjeçari pritet që të dalë përpara gjykatës.

Sipas avokatit të tij, Babis Anagnostopoulos ka kërkuar dënim shembullor për krimin që ka kryer. “Ai është i tronditur nga fakti i vrasjes së Karolinës”, tha avokati, duke shtuar se pasi pranoi dhe rrëfeu krimin, klienti i tij u ndje më i qetë.

Ndaj 32-vjeçarit janë ngritur akuzat e vrasjes me dashje, abuzim me kafshët për shkak se kishte vrarë edhe qenin e familjes, pretendim të rremë dhe dëshmi false të dhënë para hetuesve.

32-vjeçari mbyti gruan pas zënkave me të, sikurse tha në hetuesi, sepse i druhej faktit që 20-vjeçarja do t’i kërkonte divorcin. /tvklan.al