Në redaksinë e emisioni “Stop”, ka ardhur një denoncim nga qytetari Pashk Vela, i cili ka rezultuar pozitiv me covid 19.

Ai është banor i njësisë 8 dhe tregon se kishte kollë të thatë, temperaturë të lartë dhe vështirësi në frymëmarrje, ndaj i telefonoi 127-ës, ku e këshilluan të merrte paracetamol.

Pas këmbënguljes së tij një ekipi mjekësor mbërriti në shtëpi e i bëri tamponin, ku rezultoi pozitiv. Por Pashku jeton i vetëm, pasi familjen e ka në Greqi dhe nuk ka kush të kujdeset për të.

Emisioni “Stop” vuri në dijeni administratorin e njësisë 8, Dritan Dango, dhe përmes punonjëses së njësisë, e cila mori gjeneralitetet e këtij rasti dhe premtoi se në bashkëpunim me qendrën sociale, do t’i gjendet Pashkut me një vakt ushqimor deri në shërim dhe paketën ushqimore.

Shpresa Mulaj, punonjëse e bashkisë Tiranë, dërgoi vaktin ushqimor të Pashkut  dhe një paketë ushqimore në derën e shtëpisë së tij.

1.Biseda me punonjësen e njësisë 8:

Punonjësja, Njësia 8-Ne kemi ato procedurat tona, që unë e referoj në Bashki, dhe Bashkia e referon tek Qendrat Sociale. Më duhet emër, mbiemër i zotërisë, edhe rruga, ku jeton.

Gazetarja: Zotëria quhet Psashk Vela, banon tek Njësia 8. Unë do të të jap dhe numrin e kontaktit që ju të lidheni me vetë personin.

Punonjësja, Njësia 8-Perfekt!

Pas referimit të rastit nga emisioni “Stop”,  njësia administrative 8 e mori në konsideratë duke zgjidhur këtë rast.

“Tani, unë fola me Qendrën Sociale dhe kanë siguruar një vakt për zotërinë, që më thatë. Në këto dy javë do t’i sigurohet vakti ushqimor nga Qendra Sociale. Siç ia çojnë familjeve të tjera, do jetë i përfshirë në skemë edhe rasti në fjalë, pas referimit tuaj”. /tvklan.al