I vihet flaka KZAZ 3 në Shkodër

I vihet flaka KZAZ 3 në Shkodër

20:48 18/06/2019

Tensione në disa Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në Shkodër e Tropojë. Punonjës të bashkisë, të mbështetur nga protestues të opozitës, i kanë vënë flakën KZAZ numër 3 në Shkodër, e cila ndodhet në ambientet e shkollës së mesme 'Shejnaze Juka'.

Punonjësit e policisë janë përplasur me protestuesit duke kundërshtuar shpërndarjen e bazës materiale.

Incidente ka pasur në Shkodër edhe në Kzaz në numër 2 e vendosur në pallatin e sportit ku për disa minuta ka pasur konfrontime mes Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake.

Në një dalje për mediat, kryebashkiakia e Shkodrës Voltana Ademi tha se vendimi për lirimin e ambienteve është në zbatim të shfuqizimit të dekretit të Presidentit për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit

"Çdo akt që persona me uniformën e policit kryejnë kundër punonjësve të bashkisë, në këtë rast policisë bashkiake, e cila ka përgjegjësinë ligjore të administrojë pronën e Bashkisë së Shkodrës, në këtë rast pallatin e sportit, i cili është tentuar të uzurpohet edhe mëngjesin e sotëm nga militantët e Ramës, do të marrë përgjigjen e duhur".

Incidente u shënuan edhe në Bajram Curri, ku punonjës të Policisë Bashkiake të mbështetur nga qytetarë të shumtë kërkonin lirimin e ambienteve të KZAZ-së.

Prania e forcave të policisë nuk i pengoi që të hynë  me forcë në pallatin e sportit 'Bajram Curri' për të hequr materialet zgjedhore. Debate të ashpra pati edhe mes zyrtarëve lokalë dhe drejtuesve të policisë. Nga thyerja e xhamave mësohet se ka mbetur një polic i lënduar lehtë, ndërkohë që janë arrestuar 4 persona.

Sakaq, edhe Bashkia Lezhë përmes një shkrese drejtuar KQZ-së në zbatim të dekretit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve në 30 Qershor, ka kërkuar nga Kzaz-ja lirimin e ambienteve të shkollës “Besëlidhja” deri në orën 16:00 të pasdites. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve reagoi duke thënë se dekreti i Presidentit është nul dhe kushdo që pengon funksionimin e KZAZ-ve do mbajë përgjegjësi.

Tv Klan
Të ngjashme
Kolegji Profesional AKSHI