Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e Tonin Qafa në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë.
Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale. Për pasojë është dëmtuar dera e oborrit të banesës, xhamat e banesës si dhe është dëmtuar një automjet i parkuar aty pranë.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj mëson se në vitin 2009 Tonin Qafës i është vrarë i vëllai. Nga ky moment familja Qafa me origjinë nga Fushë Arrëzi u shpërngul në Amerikë. Tonin Qafa ishte kthyer në Shqipëri muajt e fundit.
“Rreth orës 00:35, në rrugën “Besnik Hidri” në portën e jashtme të banesës të shtetasit T. Q, dyshohet se ka plasur një sasi lëndë plasëse.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të dëmtuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.
/tvklan.al