Përleshje mes familjarëve dhe autorëve, 1 në pranga

Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në Korçë. Pre e maskave ka rënë kambisti Shefqet Muço.

Tre persona janë futur brenda banesës së tij dhe sipas dëshmitarëve ishtin të armatosur dhe të maskuar. Ata mendohet se kanë marrë nga banesa rreth 10 milionë Lekë të reja.

Ndërkohë kambisti Shefqet Muço ka arritur që ta mbajë njërin prej autorëve me forcë, duke mos e lejuar të largohet derisa aty shkoi policia.

Ai është 50-vjeçari Agim Çoçi dhe ndodhet i arrestuar por në spital, pasi ka marrë plagë nga përleshja me familjen e kambistit.

Fqinjët kanë treguar se si ndodhi grabitja, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe kryefamiljari.

“Pashë një që Shefqeti e kishte vënë poshtë, Shefqeti i gjakosur këtej, gruaja e goditur, djali i tij ka ndrydhur dorën, unë vajta vetëm sa ia hoqa nga dora. I vajti tjetri me pistoletë i tha lëshoje, Shefqeti i tha “nuk e lëshoj më vrit”. U pashë me doreza autorin, për të mos e vrarë fare e hoqa Shefqetin, lëre se vjen policia. E kanë goditur Shefqetin te koka, iu gjend e gjithë lagjia në ndihmë”.

Kjo është hera e katërt që banesa e kambistit Shefqet Muço bie pre e masakave në Korçë, ndërkohë që policia thotë se po vijon kërkimet për dy autorët e tjerë, ndërsa një 30-vjeçar nga Fieri është shoqëruar si i dyshuar për ngjarjen.

Tv Klan