Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se në Selitë, disa persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës, i kishin marrë shtetasit K. Z., 23 vjeç, një shumë parash dhe biçikletën, menjëherë kanë organizuar dhe finalzuar operacionin policor të koduar “Escape”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. 

Si rezultat i këtij operacioni, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 është bërë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve:

Sebastian Ogici, 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

Ruzhdi Thano, 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit: M. F., 23 vjeç, dhe E. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë nën kërcënimin e armës, shtetasit K. Z., 1450 euro, një shumë lekësh, aparatin celular dhe biçikletën.    

Gjatë kontrollit fizik, Ogicit iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur gjatë vjedhjes dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa. Në vijim të veprimeve ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”, duke dalë jashtë banesës. 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.