Dhimbja ka pllakosur familjen dhe të afërmit e Agim Bucit, i cili gjeti vdekjen mbrëmjen e së mërkurës teksa ndodhej në dyqanin e vogël pranë shtëpisë së tij në Kamëz.

Një tentativë grabitjeje, e cila përfundoi me përdorimin e armëve, i kushtoi jetën babait të 4 fëmijëve. Ai tentoi t’i dilte në mbrojtje bashkëshortes së tij 44-vjeçare, e cila mbeti e plagosur në këmbë, por 52-vjeçari nuk pati të njëjtin fat, plumbat e nxjerrë nga arma e grabitësve i morën atij jetën.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, të afërmit e Agim Bucit e kanë shprehur dhimbjen edhe zemëratën për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të dashur në rrjetet sociale.

U prefsh në paqe, shpirti jot Agim Buci gjithmonë do jesh në zemrat tona. Sa e padrejtë që është jeta, Zoti i vraftë ata që të vranë ty daja dhe nipi im”,

shkruan një e afërme e tij

.

Reagimet nuk mungojnë as nga ata që Agim Bucin e njihnin nga afër.

Një fatkeqësi shumë e madhe, e pabesueshme! Agimi qoftë i Xhenetit, ju pastë lënë jetë e shëndet fëmijëve dhe familjes. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballur këtë humbje të madhe! Me mendje dhe zemër jemi me ju! Ngushëllime të sinqerta për familjarët dhe të afërmit”.

Agim Buci ishte babai i 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali 6 vjeç.

Mbrëmjen e së mërkurës, persona të armatosur kërkuan nga bashkëshortja e tij Merita Buci që t’i jepte paratë. Në marketin e vogël në rrugën “OSBE” të Kamzës, bashkë me gruan ishte edhe djali 6-vjeçar. Për të frikësuar autorët ajo kapi një thikë, por grabitësit e qëlluan me pistoletë në këmbë. Në këtë moment, në dyqan hyri 52-vjeçari, i cili u përlesh me një nga agresorët. Ky i fundit i drejtoi pistoletën në gjoks, duke e qëlluar për vdekje.

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë të mbeten në arrati, ndërsa policia ka shoqëruar të paktën 25 persona dhe ka vënë një shpërblim prej 500 mijë lekësh, për këdo që do të japë informacione të vlefshme për kapjen e tyre.

/tvklan.al