Noel Dishi është dënuar me 10 vite burgim për vrasjen e Vilson Tafçiut, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 20 Janarit 2020. Të dy kanë qenë shok me njëri-tjetrin dhe mes tyre kishte nisur sherri për një vajzë.

Pas debateve verbale mes tyre, Noel Dishi kishte shkuar të merrte armën dhe kur u kthye qëlloi shokun e tij Vilson Tafçiun duke e lënë të vdekur.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka intervistuar familjarët e të ndjerit Vilson Tafçiu, të cilët kanë rrëfyer se si mësuan se djali i tyre ishte vrarë.

Nëna e Vilsonit, znj. Fatmire Noka tregon se disa ditë pas varrimit të djalit, mësoi se edhe autori ishte me origjinë nga Dibra, njësoj si djali i saj.

Më pas u vu në dijeni se sherri kishte ndodhur për një vajzë në Instagram.

Nëna e Vilsonit: U bë varrimi, edhe 2 ditë mbrapa deri kur u bënë të tretat, vetëm më kanë treguar se vrasësi i djalit është nga fshati Sin me origjinë, për të qëndruar rri në Sukth. Mbeta e habitur, thashë çne ky djalë nga Dibra, dibrani të vrasë dibranin? Nuk dija gjë. Pastaj nga fjalët e njerëzve kuptova se në mes na qenka një vajzë. Gjithë kjo ngjarja ka nisur më datën 15 Janar.

Kryeplaku i fshatit: Vilsonin e kam rritur me fëmijët e mi. Vilsoni ka qenë djalë tepër i mirë këtu në fshat. Asnjë problem nuk më ka krijuar në fshat. Që i vogël nuk ka pasur probleme, edhe pasi u rrit mori rrugën e mërgimit si gjithë të tjerët, ka qenë djalë tepër i respektuar në fshatin tonë. Jo vetëm Vilsoni, po familjarisht.

Xhaxhai i Vilsonit: E vërteta doli në fund. Për një bisedë, për një gocë. Jemi interesuar, e kemi gjetur edhe vetë gocën që bëhet fjalë. Ka deklaruar vetë si ka qenë. Me sa njerëz njihen në Instagram të rinjtë sot, si arriti të na vrasi djalin?

Nëna e Vilsonit: Noel Dishi e ka parë Instagramin, ka parë një follow të Sonit në Instagram ndaj vajzës në fjalë. Dhe Noeli e ka telefonuar vajzën menjëherë. I ka thënë pse të ka bërë follow Vilsonit. Vajza i është përgjigjur Noelit i ka thënë pse këmbëngul vetëm tek Soni kur kam 16 mijë ndjekës. Ai i ka thënë unë do të vras më të mirin. Pas një kohe, se isha shumë e tronditur pasi dëgjova se ishte një vajzë që e ka bërë gjithë këtë që ndodhi, e kam telefonuar vajzën, u lidha në ËhatsApp me të, dhe më tregoi. Vajza tha kjo ngjarje ka ndodhur më 15 Janar 2020, biseda e parë. Djalin tim, ajo thotë që hera e parë e ka telefonuar Noeli, pse i ka bërë follow Soni. Kjo i ka thënë kam 16 mijë ndjekës. Ky është bërë xheloz në këtë mes që nuk e ka as motër, as mbesë, as kushëri, asgjë. Në një kohë që djali im ka qenë i fejuar.

Xhaxhai i Vilsonit: Vetëm një herë ka ardhur një person, daja i vetë, e kanë çuar ata, dajat e djalit që na ka vrarë djalin tonë, ose këtij kriminelit. Na kanë sjellë njerëz sipas zakonit. Dhe i kam kthyer një përgjigje. Më tha unë nuk jam në gjendje të ruaj fëmijët e mi, jo të deklaroj ata. Atëherë si vijnë këtu? Arsyen njëherë pse ma ka vrarë? Kërkonin mos kishte gjakmarrje. Dhe ne ja kemi lënë drejtësisë. Por drejtësia shqiptare është e pafalshme për këtë që bën për djalin tonë. /tvklan.al