I vunë zjarrin KZAZ-së, 5 të arrestuar

I vunë zjarrin KZAZ-së, 5 të arrestuar

09:50 19/06/2019

5 është numri i personave të arrestuar në Shkodër, mes të cilëve edhe një punonjës i Policisë Bashkiake të këtij qyteti, për incidentin e ndodhur një ditë më parë në KZAZ-në Nr.3. Të arrestuarit janë G. B., 29 vjeç, G., 50 vjeç, A. N., 39 vjeç, O. Th., 17 vjeç, si dhe efektivi i Policisë Bashkiake, A. N., 41 vjeç.

Sipas policisë arrestimi i këtyre personave erdhi për “ngjarjen e ndodhur dje ku disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime aktive, për të djegur me zjarr shkollën “Shejnaze Juka” në lagjen “Kongresi i Përmetit” Shkodër dhe materialet zgjedhore që ndodheshin në ambientet e kësaj shkolle, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia, bënë arrestimin në flagrancë të 5 personave”.

Autoritetet kanë shpallur gjithashtu në kërkim policor 14 persona dhe janë proceduar 2 të tjerë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Mbi personat në fjalë rëndojnë akuzat: “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të Policisë së Rendit publik”./tvklan.al

Të ngjashme
UKT