Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariateve në varësi të saj të angazhuara maksimalisht për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve në territorin e qarkut Vlorë.

Në Vlorë e Sarandë kapen dhe vihen në pranga tre shtetas të dyshuar për zjarrvënie.

I vuri zjarrin një zone të pyllëzuar në Karaburun, vihet në pranga autori i dyshuar.

Në pranga një shtetas tjetër, që dogji me zjarr një sipërfaqe pylli në fshatin Delisuf.

Gjithashtu në Sarandë është vënë në pranga autori i zjarrvënies në fshati Shalës të Konispolit.

Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, u bë ndalimi i shtetasit S. Q, 59 vjeç, banues në fshatin Dukat.

Ky shtetas dyshohet se në datën 27.07.2021, ka djegur me zjarr një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të egër, në zonën e quajtura “Toc” dhe “Gjolpec” në Karaburun.

Gjithashtu nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. S., 45 vjeç, banues në Përmet.

Ky shtetas dyshohet se mesditën e sotme, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke, me qëllim pastrimin e saj dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur dhe një sipërfaqe pylli me pisha, në fshatin Delisuf.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr” i shtetasit L. M, 53 vjeç, pasi dyshohet si autori i zjarrvënies në fshatin Shalës, ku është djegur një sipërfaqe toke, rreth 2 hektarë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët dhe në vençanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqje kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore./tvklan.al