Prokuroria italiane ka zbuluar detaje të tjera lidhur me hetimin e vrasjes së çiftit shqiptar Shpëtim dhe Teuta Pasho, të cilët ishin zhdukur në Itali në Nëntor të vitit 2015 dhe trupat e dekompozuar u gjetën vitet e fundit.

Sipas organit italian të akuzës, Elona Kalesha, e cila ishte në lidhje me djalin e çiftit Pasho, dyshohet se ka qenë shtatzënë me një person tjetër në atë kohë. Dhe për të mbuluar tradhtinë, që mesa duket vjehrrit e saj e kishin zbuluar, ajo i vrau dhe më pas trupat i kishte copëtuar duke i futur brenda disa valixheve siç dhe u gjetën.

Dyshohet se 36-vjeçarja kishte kryer abort në Tetor 2015 në spitalin e Firences disa ditë përpara zhdukjes së çiftit të bashkëshortëve Shpëtim dhe Teuta Pasho, dhe disa ditë përpara daljes nga burgu të Taulant Pashos, të dashurit të saj.

Këto zbulime u bënë sot të ditura në seancën gjyqësore në Firence të Italisë. Taulant Pasho, i cili është gjithashtu i arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e prindërve të tij, u tha hetuesve italianë se nuk e kishte idenë që e fejuara e tij Elona të kishte qenë shtatzënë, pasi në atë kohë ai ka qenë në burg për një vepër penale.

Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe dëshmitë e disa familjarëve të tjerë, të cilët kanë thënë se një ditë para se të zhdukej, Teuta Pasho kishte shprehur dëshirën për të folur me djalin e saj në burg, Taulantin, për një çështje që kishte të bënte me Elonën dhe se ai do të duhej të zgjidhte mes familjes së tij dhe Elonës.

Pas nxjerrjes së këtyre provave të reja në gjyq, seanca e radhës u shty për në 20 Shtator, ndërkohë që avokati mbrojtës i Elonës kërkon vendosjen e një mase më të lehtë sigurie, nga arrest në burg në arrest shtëpie me argumentimin se nuk ekziston rreziku i prishjes së provave dhe as i përsëritjes së krimit. /tvklan.al