Skandali i publikuar mbrëmjen e 12 Janarit në emisionin “Stop” i sanitares së spitalit “Shefqet Ndroqi” Tire Alldervishi ka tronditur mbarë opinionin publik.

Ajo ishte hequr si infermiere dhe i mori një vajze 8 milionë lekë me pretendimin se kujdesej për nënën e saj të sëmurë Covid, e cila më pas fatkeqësisht ndërroi jetë.

Në emisionin “Stop” u publikuan mesazhet prekëse të vajzës dhe nënës së ndjerë, me të fundit që ankohej për shërbimin. Ajo shprehej se Tire Alldervishi i kishte larguar karrigen e ushqimit pasi një prej sanitareve e kishte me merak që t’i ndërronte pampersat. Po ashtu, vajza tregoi se nga të gjitha ushqimet që i dërgonte të ëmës, Tire Alldervishi i jepte vetëm supë.

Vajza e të ndjerës tregoi këtë të enjte në emisionin “Stop”, sesi mundi të bëjë paratë vetëm që e ëma t’ia dilte betejës me sëmundjen. Ajo tregoi se si ka kërkuar borxh dhe në një moment të vështirë ka marrë në telefon çdo numër kontakti që kishte për ndihmë.

E reja foli edhe për pengun që i ka mbetur tani që njeriu më i shtrenjtë për të nuk jeton më.

“Atëherë vërtetë ishin shumë para. Kam kaluar një situatë shumë të vështirë. Isha e vetme duke pasur dy motra, një në Gjermani, një në Itali në pamundësi për të ardhur të më ndihmonin, duke dërguar pasi merrnin rrogat nga 200 Euro, 150 Euro. Të gjithë kushërinjtë që i kisha jashtë, i kam me mesazhe dhe u thosha ju lutem më ndihmoni sikur nga 20 mijë Lekë, 50 mijë Lekë. Më bëhet shuma e lekëve që më kërkohet që mami im t’ia dalë. Kam kërkuar ndihmë në një moment isha shumë e ngarkuar, me vetëm 50 mijë lekë të vjetra në xhep dhe hap numrat e telefonit dhe në çdo numër që unë kisha, të njohur apo të panjohur u thosha ‘të lutem më ndihmoni, mami im po vdes, sadopak të keni më nxirrni nga kjo situatë’. Kam marrë shumë ndihmë. Kam bërë të pamundurën që mami im t’ia dalë. Kam lënë fëmijët e mi pa parë. Kaloja para shtëpisë kur lija punën dhe nuk kthehesha tek fëmijët vetëm që t’i qëndroja mamit pranë. Ndihmë kam pasur nga të gjithë njerëzit që mami im t’ia dalë, por nuk ishte e mundur me gjithë atë shumë lekësh që mori, ajo vetëm një supë hante nga Tirja që bënte shërbimin e saj”.

Sot jeni në një situatë të ngjashme me shëndetin e babait tuaj, çfarë pengu keni nga ikja tragjike në mes tuajin? Kam lexuar mesazhin, çdokush do ta bënte, mbretëresha ime, era më e ëmbël në botë. Sot çfarë pengu keni dhe si ndiheni?

“Babai im ka i paralizuar prej 1 muaji e gjysmë. Kanë pasur një martesë shumë të lumtur. E ka përjetuar dhe dhimbjen e mamit shumë rëndë. Ai qëndron i shtrirë, i paralizuar, ka goditje në tru, ka prekje në tru. Unë bëhem e fortë para tij, nuk mund të qaj dot. Në moment që shtrihem hap mesazhet, videot që kam bërë me mamin dhe më duket sikur bisedoj me të. Fakti që unë kam unazat e mamit në dorë dhe varësen që mami im kishte, e bërë nga motra dhe babi… dedikimi i kësaj varëseje që është bërë për nënën dhe bashkëshorten më të mirë në botë dhe pastaj është emri i babit dhe i tre motrave, unë nuk mund ta fal faktin që mami im iku e pangopur, pa marrë shërbimin e duhur. Sa herë që shikoj këtë varëse që nëna ime e kishte kujtim nga ne, dua që drejtësinë ta çoj deri në fund që mami im të flejë e qetë aty ku ka shkuar. Dua që mami të jetë e qetë atje dhe ta largoj këtë peng që kam në shpirt. Dua të marr vesh çdo lloj informacioni, çdo lloj shërbimi që është bërë ndaj saj dhe pse e di dhe e kam vërtetuar nga mami im që më thoshte më largojnë karrigen e bukës. Sa herë ulem të ha bukë, ulem për të ngrënë e uritur dhe ngrihem e pa ngrënë sepse them “mami im iku dhe unë nuk mundem të ha kur shikoj atë”. Ulem të ha dhe ngrihem. Pi vetëm ujë edhe unë si mami im dhe prej dy javësh që ka ndërruar jetë nuk mundem të ha bukë. Nuk shkoj dot të shoh fëmijët e mi, nuk u them “hajde te mami” se kujtoj mamin tim. Ndaj dua t’i shkoj drejtësisë deri në fund”./tvklan.al