Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kësaj të enjteje ishte në një intervistë në lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Rama foli për planin me 7 pika që shpalli ditën e sotme për të përballuar këtë situatë që është krijuar nga koronavirusi.

Ndërkaq në fund të intervistës, Blendi Fevziu i ka bërë një pyetje që qarkullon në rrjet, një pyetje që e ka cilësuar që në fillim se është shumë cinike dhe e rëndë.

Blendi Fevziu: Zoti kryeministër po ju bëj pyetjen më cinike të mundshme, që vetë nuk e pranoj, por që qarkullon në rrjetet sociale… Ka njerëz që thonë për një numër personash që mund të humbin jetën, 3 mijë persona, a mund të sakrifikohet e ardhmja ekonomike e 3 milionë të tjerëve?! E di, është shumë cinike, por qarkullon…

Edi Rama: Çfarë të them unë tani?! Këtë bast nuk e ka vënë askush, edhe Presidenti i Amerikës që shquhet për baste që tronditin botën, nuk e ka vënë këtë bast.

Edhe kryeministri i Anglisë tani ka thënë dhe më duhet se e ka bërë sot a nesër, që do rrethojë Londrën me forca ushtarake…

Kështu që është proces ku gjithçka mund të ndodhë, mund të vijë dita që natyra njerëzore mund te rebelohej dhe të thonin që ‘ore ne nuk do vdesim të gjithë se do na vdesin ca njerëz’, por edhe kjo do të ishte një e re në historinë e njerëzimit.

Kështu që jemi në një luftë të re botërore, jo siç e kishin planifikuar ata që e çojnë buxhetin për bomba, dhe bombat ju kanë mbetur nëpër depo.

Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që natyra njerëzore të thotë hajde ta ndajmë kush do jetojë e kush do vdesë në mënyrë konsensuale…

Mbase do vijë dhe kjo kohë, nuk e di, unë besoj se është amorale që të hyjmë në këtë debat… ju më paralajmëruar”. /tvklan.al