Gazetarja Klodiana Lala thotë se prokuroria shqiptare po heton për një numër të lartë ngjarjesh ku Ibrahim Lici rezulton se është i përfshirë, por për shkak të sekretit hetimor nuk janë zbuluar ende.

E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Lala thotë se Shkodra ka qenë nën terrorin e krimit dhe nën diktatin e grupeve kriminale “Bajri” dhe “Lici” dhe për më tepër edhe qytetarët që kishin biznese nuk lejoheshin që të hapnin subjektet e tyre nëse nuk paguanin gjobën e faturuar nga krimi.

Klodiana Lala: Personazhe që e kanë mbajtur nën terror dhe kanë mbërthyer Shkodrën. Të gjithë bizneset atje nën diktatin e Licëve dhe të Bajrave kanë qenë të terrorizuar dhe nuk mund të hapnin qepenët e tyre nëse nuk paguanin gjobat. Pra, në një farë mënyrë, Shkodra ishte shndërruar në një domein të tyre dhe po mbahej peng nga krimi i organizuar dhe për këtë arsye, ky personazh konsiderohet shumë i kërkuar. Në informacionet që unë kam, ka po ashtu të hapur një dosje në SPAK, por që nuk është bërë publike për shkak të sekretit të hetimit, por ka dalë nga disa përgjime. Duket në pamje të parë sikur ka vetëm një akuzë, por nga informacionet që ka prokuroria shqiptare, ka një numër shumë të lartë ngjarjesh ku rezulton të jetë i përfshirë.

Lala thotë se të gjitha gjasat janë që Ibrahim Lici të kërkojë azil politik në Turqi me arsyetimin e dosjes “Metamorfoza”, ku është zbuluar se ka qenë nën shënjestrën e grupeve rivale për ta eliminuar.

Klodiana Lala: Po aq i rrezikshëm sa është Ibrahim Lici, po ashtu ka qenë edhe në shënjestër sepse grupet rivale kërkojnë ta eliminojnë. Ishte vënë në shënjestër të grupit kriminal “Bajri” dhe kjo u zbulua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, rezultoi që grupi kriminal “Bajri” po planifikonte për të vrarë Ibrahim Licin, Dorjan Dulin, një njeri të besuar të tij. Të gjitha gjasat janë që Lici të kërkojë azil politik duke u ndalur me arsyetimin që ka qenë në shënjestër për t’u vrarë. Nuk e di sa autoritetet shqiptare do të arrijnë ta marrin në Shqipëri. Ofrimi i statusit të të penduarit mund të zbardhë shumë ngjarje kriminale sepse në Shkodër ka shumë ngjarje që kanë mbetur të pazbardhura.

Ndaj Licit rëndon akuza e vrasjes së shtetasit Endri Mustafa, ngjarje e ndodhur në Maj të 2021 në qytetin e Shkodrës.

/tvklan.al