Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj shprehet se me reformën e re të rritjes së pagave, Presidenti i Republikës do të ketë një pagë prej 425 mijë Lekësh.

Në një lidhje direkte për Klan News, ministrja Ibrahimaj shprehet se pagat e kryeministrit apo të ministrave do të jenë pagat e fundit që do të rriten pasi të rriten të të gjithë strukturave të tjera.

Ministrja Ibrahimaj shton se rritja e pagave të funksionarëve politikë do të bëhet në hapin e dytë të reformës.

Pyetje: Sa përllogaritet me rritje paga e Kryeministrit?

Delina Ibrahimaj: Detajet për të gjitha nivelet e pagave do t’i keni sapo ligji të miratohet në Parlament. Unë ju paraqita pagën e presidentit, e cila rritet në nivelin e 425 mijë Lekëve, ndërkohë që gjithsesi, për pagat e kryeministrit apo të ministrave, ato do të jenë pagat e fundit që do të rriten pasi të rriten të gjitha pagat e të gjitha strukturave.

Pyetje: Këtë nivel duhet të ketë edhe kryeministri apo jo?

Delina Ibrahimaj: Jo, do të ketë një nivel më të ulët. Niveli i pagave të kryeministrit apo të ministrave do të rritet vetëm pasi të jenë bërë të gjitha rritjet e tjera.

Pyetje: Rritja e pagave të këtij niveli të lartë bëhet tani, apo vitin tjetër, në hapin e dytë?

Delina Ibrahimaj: Rritjet e pagave të funksionarëve politikë do të bëhen në hapin e dytë. Një pjesë e administratës publike do të ketë një rritje të menjëhershme të pagave dhe vendimmarrja në këtë rast është nisur nga numrat, ndërkohë që aty ku numrat janë shumë të mëdha, do të jetë një rritje e përshkallëzuar./tvklan.al