Sulmuesi thumbon: Skenë e vogël për një të madh si unë

Mes batutave, Zlatan Ibrahimovic bëri debutimin e tij në skenën e Festivalit më të rëndësishëm të muzikës italiane, San Remo. Sulmuesi i Milanit nisi karrierën si bashkë-prezantues përkrah drejtorit muzikor të festivalit, Amadeus, tifoz i vetëdeklaruar i Interit, për të cilin nuk munguan thumbat.

“Është një nder të jem këtu, por edhe një nder për ju që më keni këtu. Normalisht ndihem i madh, i fuqishëm, por këtu ndihem i vogël. Megjithatë akoma më i madh dhe më i fuqishëm se ti”.

Më pas, Zlatan mori rolin e drejtorit të Festivalit, teksa vendosi edhe kushtet e zhvillimit të saj.

“Së pari, Festivali Zlatan do të ketë 22 këngëtarë, njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë. Largoni 4 këngëtarë dhe dërgojini te Liverpool se dëshiron mbrojtës. Rregulli i dytë ka të bëj me skenën. Kjo është shumë e vogël, duhet me parametrat e stadiumit “San Siro”, përndryshe Festivali anulohet për mua.”

Ibrahimovic pranoi se Amadeus e ka zgjedhur atë për të rritur audiencën e festivalit, diçka që pohoi se e pranoi me kënaqësi.

Klan News