Tifozët e Inter mund të qëndrojnë të qetë, pasi Mauro Icardi pritet të firmosë rinovimin e kontratës me klubin zikaltër. Garancinë e ka dhënë drejtori Guiseppe Marotta. Sulmuesi argjentinas është nën kontratë me Interin deri në 2021, por kohët e fundit ka lajme se për të është interesuar Manchester United dhe mbi të gjitha, Real Madrid.

Janë dy klube që joshin çdo futbollist dhe për këtë arsye, drejtuesit e Inter kanë nisur bisedimet prej disa ditësh me menaxheren dhe bashkëshorten e tij Wanda Nara. Me gjasë pasi ka marrë edhe prej saj premtimin, drejtori Marotta ka deklaruar se Icardi do të qëndrojë tek Inter pasi ndjehet mirë. “E vetmja çështje është se kur do të vendosë stilolapsin mbi letrën e kontratës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, një tjetër sulmues eficent, Edinson Cavani edhe pse është drejt fundit të kontratës me PSG nuk shqetësohet. Futbollistit i kanë mbetur edhe 18 muaj nga përfundimi i marrëveshjes me klubin francez. Ai ka deklaruar se është i qetë dhe se nuk dëshiron të bëjë gjëra të sforcuara. Nëse i ofrohet rinovimi do ta pranojë dhe nëse jo, do të rikthehet në Uruguaj për të mbyllur karrierën. Edinson Cavani njihet nga ata futbollistë që nuk rendin pas kontratave shumëmilionëshe.

Tv Klan