Kërkesës së KQZ-së iu përgjigjën vetëm 6 kompani

Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje do të kushtojë nga 12 milion euro deri në 28 milionë dollarë. Këto janë kostot e projektit, nga më e ulëta tek më e larta që kanë ofruar kompanitë, të cilat kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e prokurimit publik, për krijimin e sistemit dhe blerjen e pajisjeve që do të përdoren në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Nga 22 kompani private të cilave KQZ i dërgoi kërkesë për vlerësimin e kostove për përdorimin e sistemit dhe pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve, interes kanë shprehur vetëm 6 prej tyre.

5 prej kompanive janë të huaja, ndërsa një prej tyre shqiptare. Kjo e fundit kërkon 14 milionë Euro për t’i dhënë pajisjet e nevojshme me qira dhe 17 milionë Euro nëse KQZ-ja kërkon t’i blejë ato.

Tashmë i mbetet KQZ-së dhe qeverisë shqiptare të vlerësojë nëse është e gatshme të paguajë një faturë të tillë për realizimin e projektit të përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, si për Sistemin Elektronik të Identifikimit të Votuesve, ashtu edhe për Pajisjet Elektronike të Identifikimit.

Ndonëse sfida kryesore e KQZ së re të riformatuar sipas dakordësisë së palëve me marrëveshjen e 5 Qershorit është implementimi i teknologjisë në zgjedhje, për aplikimin e saj në 25 Prill, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë edhe mbështetjen e ekspertizës së BE-së.

Identifikimi biometrik i zgjedhësve ishte një nga kërkesat e opozitës, që u dakordësua në marrëveshjen e 5 Qershorit në tryezën e Këshillit Politik. Identifikimi biometrik synohet të realizohet në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik të votave do të përdoren nga jo më shumë se 20% të totalit të zgjedhësve. Ato mund të aplikohen në dy qarqe dhe do të jenë offline për të shmangur rrezikun e ndërhyrjeve në rrjet.

Tv Klan