PS: Mund ta zgjidhë Rama-Basha. PD: Kusht i panegociueshëm

Nuk ka arritur të prodhojë dakordësi mbledhja e radhës e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, ku palët ndahen në qëndrimet e tyre sa i përket përdorimit të teknologjisë në zgjedhje.

Opozita kërkon identifikim biometrik në të gjithë vendin, por maxhoranca propozon shtrirjen e tij në disa zona, mbështetur edhe në një opinion të bërë nga ODIHR-i. Ndaj dhe zgjidhja për çështjet ku konsensusi duket i pamundur në tryezën e Këshillit Politik, sipas bashkëkryetarit të reformës elektorale, Damian Gjiknuri, mund të vijë përmes një tryeze Rama-Basha.

“Një takim mes Ramës e Bashës është në dorën e tyre dhe do bënte shumë mirë Shqipërisë nëse do të kishte takim të tillë. Ku ka më mirë se liderët politikë të këtij vendi të ulen në tryezë e të bashkëbisedojnë si do të zgjidhin problemet edhe më të mëdha. Si mund të jem kundër unë kur takohem me PD”, u shprehGjiknuri.

Por opozita, e cila e ka një kusht të panegociueshëm identifikimin biometrik në të gjithë vendin, si e vetmja garanci që do të pengojë mbushjen e kutive të votimit në zgjedhje, thotë se pa u plotësuar ky kusht, vihet në pikëpyetje konsensusi për vijimin e reformës me çështjet e mbetura.

“Pa një dakordësi për identifikimin biometrik që do të pengojë mbushjen e kutive të gjitha dakordësitë e tjera nuk kanë vlerë apo nuk mund të arrihet kompromis mbi çështjen e administratës zgjedhore. Pa arritur konsensusin mbi këto çështje është e pamundur që të shkohet më tej”, tha Bylykbashi.

Në tryezën e Këshillit Politik dakordësi nuk pati edhe për depolitizmin e administratës, si dhe propozimin e sjellë nga opozita që shkeljet e zgjedhjeve të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga trupa e kolegjit.

Kjo përplasje mes palëve vjen në një kohë kur kanë mbetur edhe 2 ditë nga afati për përfundimin e reformës elektorale dhe në tryezën e këshillit vijojnë të hapura çështje që konsiderohen si tepër të rëndësishme që duhet të përmbushen, me qëllim miratimin me konsensus të Reformës Zgjedhore.

Tv Klan