“Procesi në njësinë nr. 10, 100% i sigurt”

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka pasur këtë të premte një konferencë për gazetarët ku është shprehur në lidhje me identifikimin elektronik të qytetarëve. Ai u shpreh se në kuptimin e operimit nuk ka për të qenë një punë e thjeshtë më 25 Prill, megjithatë siguroi që janë marrë masat që projekti të jetë sa më i suksesshëm.

“Sikurse e kemi thënë dhe herë të tjera nuk është një proces i thjeshtë dhe nuk ka qenë një proces i thjeshtë dhe nuk mendoj që do të jetë dhe kaq i thjeshtë në ditën e votimit në kuptim të operimit, por jo në kuptim të raportit të raportit të zgjedhësit me makinën sepse nuk ka asnjë problem. Mendoj që nga KQZ janë marrë të gjitha masat që ky projekt të jetë i suksesshëm”.

Në çdo pajisjeje që identifikon votuesit janë hedhur të dhënat e tyre. Pajisja do të ketë vetëm të dhënat e qendrës së saj të votimit. Në momentin që një person paraqitet në qendrën e gabuar të votimit, apo voton për herë të dytë, pajisja lëshon sinjale akustike.

Celibashi siguroi që procesi zgjedhor në njësinë nr. 10 në Tiranë ku do të votohet elektronikisht ka për të qenë 100% i sigurt.

“Ne nuk duam si institucion të komentojmë mbi çdo deklaratë të kujtdo politikani përfaqësues parti politike apo edhe institucionesh, por ajo që mund t’ju them me siguri të plotë në lidhje me procesin zgjedhor që do të zhvillohet në njësinë bashkiake numër 10 ku do të votohet nëpërmjet elektronikës procesi është 100% i sigurtë nga çdo pikëpamje dhe nuk ka asnjë lloj shansi që askush ta manipulojë atë si proces. Procedurat e votimit janë 100% të sigurta. Siguria e votës dhe integriteti i saj është 100% i sigurt. Rrjedhimisht edhe rezultati do të reflektojë 100% vullnetin e zgjedhësve në atë zonë. Në tërësi edhe në aspektin organizativ të zgjedhjeve në këtë njësi vendore, ashtu sikurse në të gjitha zonat ofron gjithë procesi përgatitor siguri të plotë për moscënimin e inegritetit të votës”, tha Celibashi. /tvklan.al